Kosova

Kurti e Guerot bisedojnë për konvertimin e targave dhe zgjedhjet në Veri


Albin Kurti dhe Oliver Guerot

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar këtë të premte me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend, si procesi i konvertimit të targave ilegale në ato RKS dhe zgjedhjet e reja në Veri.

“Gjatë bisedës, u trajtuan edhe temat e zhvillimet aktuale, që përfshijnë mbarëvajtjen e deritanishme të procesit të konvertimit të targave ilegale dhe regjistrimit të veturave me targa RKS dhe procesi që parashihet me udhëzimin administrativ për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në Veri të vendit”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Foto: ZKM

Pos këtyre, bëhet me dije se kryeministri dhe diplomati francez, kanë folur edhe rreth nismave dhe bashkëpunimeve të mundshme në fushën e arsimit e teknologjisë së informacionit bazuar në përvojat e shtetit francez, si dhe për mundësitë që ofron Kosova dhe planet në zbatim të Qeverisë në sektorin e energjisë, përkatësisht në atë të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Sa i përket procesit të konvertimit të targave ilegale në ato legale RKS, këtë të premte do të përfundojë afati i regjistrimit të tyre.

Siç ka njoftuar për Albanian Post Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, deri më tani 3 mijë e 800 vetura i kanë ndërruar targat, shto këtu edhe 800 të mëparshme, që në total i bie 4 mijë e 200.

Elshani bëri me dije se ky është afati i fundit për konvertimin e targave, dhe se nik do të ketë shtyrje tjetër, siç kishte ndodhur më 1 dhjetor, ku qeveria e kishte shtyrë afatin për 15 ditë.

Nga ana tjetër, deri më tani, 3 nga katër komunat Veriore – Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Mitrovica e Veriut – kanë iniciuar kërkesën që përmes peticionit të largojnë kryetarët shqiptarë të këtyre komunave.

Kërkesat e tyre janë hartuar në bazë të Udhëzimit Administrativ – i hartuar nga Qeveria e Kosovës.

Mirëpo, njëra nga këto kërkesa, siç është bërë me dije, konkretisht ajo në Mitrovicë të Veriut, është refuzuar, pasi që e njëjta nuk ka qenë në përputhje me procedurat e parapara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore