Përballje

Kualifikimet e Euro U21: Shqipëria dhe Kosova zbresin në fushë


21-vjeçarët e Kosovës dhe Shqipërisë, që gjenden në grupin e njëjtë në kualifikimet e Kampionatit Evropian, do të zbresin sot në fushë, për t’i zhvilluar ndeshjet e treta të Grupit G.

Shqipëria U21 do ketë një ndeshje më të lehtë në letër, pasi që do të presë në stadiumin “Elbasan Arena” kombëtaren U21 të Andorrës.

Kjo pritet të jetë një fitore e lehtë për kuqezinjtë e rinj, që sfidën e parë ndaj këtij kundërshtari të zhvilluar në udhëtim, e fituan pa problem me shifrat 0:3.

Kuqezinjtë momentalisht gjenden në vendin e katërt në tabelë, ku pas dy ndeshjeve numërojnë një fitore dhe një humbje kundër Republikës Çeke.

Kujtojmë që edhe sfidën e radhës kombëtarja U21 shqiptare do ta zhvillojë në të njëjtin stadium, ku më 11 tetor do ta presë Slloveninë.

Në anën tjetër Kosova U21 do ketë një ndeshje shumë më të vështirë në letër, pasi që do të presë Republikën Çeke në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Dardanët e rinj vijnë në këtë përballje pas një ndeshjeje shumë mirë që bënë me Anglinë U21, pavarësisht se e humben atë me shifrat 2:0, por në takimin paraprak mposhtën Andorrën me të njëjtin rezultat.

Kosova U21 momentalisht pozicionohet në vendin e pestë në grup, me pikë të barabarta me Shqipërinë, ndërsa kujtojmë që sfidën e radhës Dardanët do ta zhvillojnë përsëri kundër Çekisë në udhëtim.

Kujtojmë që momentalisht Grupit G i prijnë çekët me gjashtë pikë të grumbulluara në dy ndeshje, ndërsa Anglia gjendet e dyta me tri pikë në një takim të zhvilluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore