Lajme

Kryesia cakton dy seanca të Kuvendit për këtë javë


Kryesia e Kuvendit.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka caktuar dy seanca për këtë javë.

Kështu ka bërë të ditur, kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Kusari-Lila, ka thënë se të enjten në orën 10:00 do të nisë seancë e rregullt me disa pika të rendit të ditës, ndërkaq të premten do të vazhdojnë pikat e papërfunduara nga seanca e javës së kaluarës.

Ndër të tjera ajo shtoi se, “grupet parlamentare u morën vesh që në mesin e pikave, të shqyrtohet në lexim të dytë projektligji për financimin e partive politike, si dhe rregullimi i çmimeve të produkteve medicinale”.

Deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu-Kodra tha se projektligji për rregullimin e çmimeve është iniciativë e tyre.

Kryesia e Kuvendit.

“Si PDK, kemi synuar ta rregullojmë çmimin e barnave, që qytetarët të mos paguajnë çmime të ndryshme për barnat e njëjta. Kjo iniciativë është e vitit 2019, e PDK-së. Ajo vjen sot përkundër se brenda komisioneve nuk kemi marrë mbështetjen e deputetëve të shumicës”.

“Shpresojmë Kuvendi ta miratojë një projektligj në mënyrë që të mos rëndohet xhepi i qytetarëve. Presim që projektligji të merr mbështetjen e shumicës, është nevojë jo vetëm e atyre që çdo ditë kanë nevojë të blejnë çdo ditë, por iu ndihmon edhe kompanive farmaceutike në Kosovë”, deklaroi deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

Edhe kreu i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, pohoi se AAK-ja ka kërkuar interpelancë për ligjin e pagave dhe për ligjin për zyrtarët publikë.

“Qeveria ka dështuar, por edhe ligji për zyrtarët publikë. Shumë agjensione kanë nisur të bëjnë rregullore të brendshme për pagat, në mungesë të ligjit. Janë mbi 3 mijë vende pune që nuk po mbushen në mungesë të veprimeve të Qeverisë”, shtoi Tahiri.

Ndryshe, Kosova vazhdon të ketë treg të çrregulluar farmaceutik. I njëjti medikament blihet me çmime të ndryshme, në barnatore të ndryshme, duke detyruar shpeshherë qytetarët që të veprojnë pas çmimit, por edhe i rrezikuar ata të blejnë barna të pasigurta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore