Lajme

Kaos me tregun farmaceutik në Kosovë, kërkohet miratimi i ligjit për çmimin e barnave


Ilustrim

Kosova vazhdon të ketë treg të çrregulluar farmaceutik. I njëjti medikament blihet me çmime të ndryshme, në barnatore të ndryshme, duke detyruar shpeshherë qytetarët që të veprojnë pas çmimit, por edhe i rrezikuar ata të blejnë barna të pasigurta.

Mungesa e infrastrukturës ligjore ka bërë që të mos ketë unifikim të çmimeve të barnave.

Besim Kodra, nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, për Albanian Post thotë se në Kosovë ka mungesë të njësimit të çmimit të barnave.

“Edhe pse barnatoret do të duhej të ishin më shumë institucione shëndetësore e më pak biznesore, në vendin tonë po ndodh e kundërta! Kjo, si rezultat i mungesës së një ligji për rregullimin unik të çmimit të barnave në vend, i cili do të ishte i krahasueshëm me vendet e tjera”.

Sipas Kodrës, “kjo gjë ka prodhuar çmime abuzive, të cilat kanë ndikuar në ekonomitë familjare dhe në shëndetin e pacientëve”.

Ai thotë se “është imediate të ketë norma ligjore që e caktojnë çmimin e barnave në të gjithë vendin”.

Farmacistët kërkojnë ligjin që do të rregullonte çështjen e çmimeve. Por tentativat e deritanishme, përmes udhëzimeve të ndryshme administrative, nuk kanë pasur efekt për shkak edhe të ndërrimit të qeverive.

Nga Oda e Farmacistëve të Kosovës, nënkryetarja Dadane Mehaj është shprehur se, në mungesë të një norme ligjore në Kosovë, barnat blihen me çmimin më të shtrenjtë në të gjithë rajonin.

Ajo e përkrah idenë që kjo çështje të rregullohet me ligj. Sipas saj, udhëzimet administrative nuk kanë treguar efikasitet.

“Pse është e rëndësishme të rregullohet me ligj? Sepse udhëzimet administrative nga përvojat e mëhershme kanë treguar se qeveritë, që janë ndërruar, e kanë hedhur poshtë atë udhëzim. Siç na ka ndodhur edhe neve, që për dy vite kjo është një temë që sillet në tavolinë”, thotë Mehaj.

Por, sipas saj, kjo nuk mund të realizohet aq lehtë përmes ligjit.

“Kurse tani, nëse bëhet me ligj, ligji nuk mund të ndërrohet aq lehtë dhe është shumë i mirë pritur. Vjen në shprehje profesionalizmi i farmacistëve në barnatore, sepse aktualisht popullata jonë vuan për këtë çështje sepse blen barna jo të sigurta”, thotë Mehaj.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një prononcim për KP ka thënë se zgjidhja më e mirë e këtij problemi që, për pasojë i kushton edhe xhepit të pacientit, është përmes Ligjit për rregullimin e çmimit të barnave. Ai thotë se i njëjti do të procedohet në Kuvendin e Kosovës brenda gjashtë muajve të ardhshëm.

“Fatkeqësisht, udhëzimi administrativ që ka ekzistuar është anuluar. Fatkeqësisht kemi situatën që kemi”.

“Praktika”, thotë Vitia, “ka treguar që edhe me udhëzimin administrativ kjo gjë nuk mund të rregullohet. Prandaj edhe në agjendën legjislative, ndër ligjet e para që e kemi në dorë për të proceduar, është Ligji për rregullimin e çmimit të barnave. Që njëherë e mirë çështja e rregullimit të çmimit të barnave të bëhet përmes ligjit dhe e cila nuk mund të ndryshojë më, siç ka ndryshuar deri tani”.

Ditë më parë, gjatë një seance plenare, ish-ministri i Shëndetësisë nga Partia Demokratike e Kosovës, Uran Ismaili, u shpreh se ia dorëzoi ministrit Vitia, si dhe Kuvendit projektligjin për rregullimin e çmimit të barnave.

Ismaili tha se këtë iniciativë e ka filluar gjatë mandatit të tij si ministër dhe ka për qëllim ndaljen e abuzimit dhe korrupsionit në shëndetësi. Ai ofroi bashkëpunimin e tij tashmë si deputet, por tha se pret vendosmëri nga qeveria, për të mos e lejuar vazhdimin e blerjes së barnave me çmime abuzive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore