Lajme

Kryeministri i Greqisë kërkon falje për keqmenaxhimin e zjarreve


Kyriakos Mitsotakis, Kryeministri i Greqisë

Më shumë se 500 zjarre kanë kapluar Greqinë, duke bërë që të evakuohen dhjetëra fshatra të tërë dhe mijëra njerëz. Kjo gjë ka nxitur furi publike, për arsye të vonesave dhe shkëputje të reagimeve nga ana e Qeverisë greke.

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, u është drejtuar qytetarëve, duke u kërkuar falje për dështimin në trajtimin e zjarreve që kanë përflakur Greqinë.

Ai premtoi se gabimet do të identifikohen dhe rregullohen, por se duhet edhe unitet popullor në betejën me zjarret.

“E kuptoj plotësisht dhimbjen e qytetarëve tanë kur kanë parë shtëpitë dhe pronat e tyre në flakë. Të gjitha dështimet nga ana jonë do të identifikohen. Dhe përgjegjësia do të vendoset kudo që është nevoja”.

Mitsotakis miratoi një pako ndihmëse 500 milionë euro për Evia-n dhe rajonin e Attica-s në afërsi të Athinës.

Të martën do të takohen ministrat e qeverisë për të diskutuar masat e nevojshme që duhet ndërmarrë.

Pasi që zjarret kanë qenë të pamenaxhueshme në shumë pjesë të vendit për shtatë ditë radhazi, zjarri më i madh ka qenë në Evia, ishulli i dytë më i madh grek në lindje të Athinës.

“Ka djegur gjithçka, asgjë s’ka mbetur”, tha 77-vjeçari Makis Ladogiannakis, ulur në një kafe në qytetin bregdetar të Pfeki-t, ku një anije ishte stacionuar për të evakuuar vendasit dhe turistët.

“Ky zjarr ishte katastrofa më e madhe ndonjëherë në fshatin tonë. Ne jetonim duke prodhuar rrëshirë dhe nga pemët e ullinjve”, tha ai.

Të hënën në Evia kanë fryrë erëra të forta, të cilat e kanë favorizuar edhe më zjarrin, duke zgjeruar vatrën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore