Sport

Kryebashkiakët e Tiranës, Romës dhe Roterdamit bëhen bashkë për të ndërgjegjësuar tifozët


Kryebashkiakët e Tiranës, Romës dhe Roterdamit kanë shkruar një deklaratë të përbashkët për të sensibilizuar të gjithë tifozët e pranishëm në finalen e Conference League në kryeqytetin shqiptar.

Synimi është të shmangen përplasjet mes dy tifozerive para, gjatë dhe pas ndeshjes që do të luhet të mërkurën, duke filluar nga ora 21:00.

Qytetari i parë i Romës, Roberto Gualtieri, sipas mediave italiane do të arrijë nesër në Tiranë për të ndjekur ndeshjen.

Komunikata e përbashket e kryebashkiakëve:

“Tirana i uron një pritje të ngrohtë dhe miqësore mijëra tifozëve të ardhur nga Italia dhe Holanda për një lojë që pritet me padurim si në Romë ashtu edhe në Roterdam”.

“Këto janë kohë shumë të ndërlikuara për historinë evropiane: garat sportive mund dhe duhet të përfaqësojnë jo vetëm momente pasioni të madh, por edhe një mundësi të rëndësishme për të treguar respekt dhe miqësi mes njerëzve nga vende të ndryshme”.

“Të dashur tifozë të të dyja skuadrave, le të sillemi të gjithë në mënyrë sportive që finalja e së mërkurës të jetë një moment i madh emocionesh kolektive. Të fitojë më i miri!”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore