Lajme

Kriza energjetike: Qeveria e Kosovës paralajmëron rritjen e çmimit


Ilustrim

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka marr vendim që çmimi i energjisë elektrike të mos shtrenjtohet këtë vit.

Mirëpo, Qeveria e Kosovës, përkatësisht ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar se çmimet e energjisë mund të rriten me fillimin e sezonit të dimrit.

Ajo ka thënë se kriza energjetike në Evropë do ta afektojë edhe Kosovën.

Qytetarët duhet të përgatiten për një rritje eventuale të çmimeve të energjisë sepse, sipas ministres Rizvanolli, çmimi i energjisë elektrike për një Megavat për orë, prej 60 euro, sa kanë qenë para kësaj krize në Evropë, tani kanë arritur në mbi 100 euro, ndërsa aktualisht çmimet janë në mbi 200 euro për megavat.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Sipas saj, kjo rritje e çmimit të energjisë elektrike ka ardhur si rezultat i rritjes së kërkesës dhe pjesërisht si pasojë e uljes së ofertës së gazit natyror nga ana e Rusisë.

Ministrja ka paralajmëruar se kjo krizë mund të thellohet edhe më tej, rrjedhimisht Kosova nuk mund të jetë jashtë kësaj krize, rrjedhimisht me ardhjen e sezonit të dimrit, qytetarët duhet të përgatiten për rritje të çmimeve, pavarësisht e tregu në Kosovë është i rregulluar dhe çmimi i energjisë elektrike për konsumatorë është i rregulluar, ka thënë ajo.

ZRrE: Tarifat energjetike do të mbesin të njëjta deri më 1 prill 2022

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) pati bërë të ditur e tarifat aktuale të energjisë do të mbesin të njëjta deri me 1 prill të vitit të ardhshëm, atëherë kur bëhet edhe rishikimi i rregullt i çmimeve të energjisë elektrike në vartësi të të hyrave maksimale të lejuara për operatorët (KESCO, KEDS dhe KOSTT).

Përkundër faktit që çmimi i importit të energjisë elektrike është rritur dukshëm gjatë këtij viti krahasuar me vitet e kaluara, ZRrE ka vendosur të mos lejojë tani shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Vendimi i bordit të ZRrE-së për tarifat e energjisë prill 2021- mars 2022 është marrë me vonesë, pra në muajin tetor e jo siç ndodh zakonisht merret në tremujorin e parë të secilit vit.

Kjo vonesë ka ndodhur për shkak se ZRrE nuk ka pasur bord funksional deri në muajin gusht.

ZRrE

Rregullatori ka bërë me dije se rritja e konsumit të energjisë ishte në harmoni me rritjen e të hyrave të KESCO-s, andaj kjo ka bërë që mos të ndikohen tarifat e energjisë nga rritja e çmimit të rrymës në nivel global, përkatësisht rritja e çmimit të energjisë së importuar.

“Me aprovimin e këtyre të hyrave, ZRRE ndër të tjera ka marrë në konsideratë edhe rritjen e çmimeve të importit të cilat janë jashtë kontrollit të operatorëve. Megjithatë rritja e të hyrave, si rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, ka neutralizuar kostot e përgjithshme të furnizimit me energji elektrike, prandaj të hyrat e lejuara nuk do të reflektojnë ngritje të çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët fundor në vitin tarifor 2021”, thuhet në sqarimin e ZRrE-së.

ZRrE-ja ka paralajmëruar se dy vitet e ardhshme mund të kenë ndikim të madh në tregun energjetik të Kosovës meqë në vitet 2022 dhe 2023 janë paraparë të realizohen remonte të disa blloqeve të termocentraleve, dhe kjo do të ulë prodhimin vendor dhe do ta rris sasinë e energjisë që duhet importohet pikërisht në kohën kur janë rritur çmimit e energjisë elektrike në tregun botërorë.

Sipas HUPX Hungarian Spot Index në vitin 2019, mesatarisht ka qenë 50.36 euro, për vitin 2020, ka qenë 39.00 euro, ndërsa në vitit 2021, mesatarja është 80.91 euro.

Por, çmimi mestar i energjisë elektrike në këtë bursë, nga muaji prill e deri në tetor të këtij viti ishte gjithsejtë 102 euro për megavat/h.

Rritja e çmimit të energjisë në tregun botërorë ka ndikuar që shumë shtete të obligohen të rishikojnë çmimin e energjisë për konsumatorë.

Shqipëria ka shpallur krizën energjetike

Kryeministri Edi Rama të premten e 8 tetorit pas mbledhjes me ministrat e tij, ka thënë se plani i posaçëm për të përballuar situatën e krizës energjetike do bëhet të publik të shtunën.

“Sot kemi pasur një mbledhje jashtë rendit të përjavshëm për të marrë një vendim për të deklaruar emergjencën e furnizimit të energjisë elektrike”.

Rama ka thënë se vendimi është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse e çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare.

“I jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë qoftë me instrumentet financiare, qoftë me instrument të natyrës administrative”.

Këshillit të Ministrave të Shqipërisë

“Sot me këtë vendim i hapim rrugë edhe ekzekutimit të planit të posaçëm për të përballuar këtë situatë dhe planin do ta bëjmë publik nesër”, ka thënë Rama në konferencë për media.

Ndërsa, vetëm dy ditë më parë, në Shqipëri dhjetëra qytetarë protestuan kundër rritjes së çmimeve të energjisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore