Lajme

Vendosja e kamerave në Veri “përplasë” Qeverinë me Listën Serbe


Vendosja e kamerave në Mitrovicë të Veriut

Policia e Kosovës, të premten, në disa lokacione në Mitrovicën e Veriut ka nisur instalimin e kamerave vëzhguese për të rritur sigurinë në qytet. Lidhur me këtë vendim të premten reagoi Lista Serbe, e cila, konsideroi vendosjen e kamerave si “shkeljen më të tmerrshme të drejtës së privatësisë që komuniteti serb”.

Sipas zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës pë rajonin e Veriut, Veton Elshani, kamerat e instaluara do t’i kontribuojnë Policisë së Kosovës që rastet t’i zgjidhë më shpejt dhe në mënyrë më efikase.

Megjithatë Lista Serbe pretendoi se vendosja e kamerave po bëhet “pa asnjë bazë ligjore”, meqë askush nuk ka dhënë përgjigje se “kush do t’i kontrollojë ato”.

Pos kësaj, Lista Serbe kërkoi edhe largimin e menjëhershëm të tyre me arsyetimin e mbrojtjes së privatësisë së qytetarëve.

“Kërkojmë dhe reagimin e shteteve të QUINT-it dhe të misioneve ndërkombëtare, para së gjithash EULEX-it, UNMIK-ut, KFOR-it dhe Zyrës së Bashkimi Evropian në Kosovë për këtë shkelje drastike të të drejtave të qytetarëve tanë”, thuhej në komunikatën për media.

Lidhur me vendosjen e kamerave dhe pretendimeve të Listës Serbe, të shtunën ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovë, Përparim Kryeziu, ka potencuar se kamerat vëzhguese të menaxhuara nga Policia e Kosovës janë të vendosura në çdo qytet të Kosovës dhe se të njëjtat “janë të ligjshme dhe në shërbim të sigurisë publike”.

Kryeziu ka potencuar gjithashtu se në komuna të ndryshme të banuara me shumicë serbe “strukturat ilegale serbe dhe organizatat terroriste si ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada Veriore’ kanë përdorur vazhdimisht kamerat e vëzhgimit, të cilat kanë qenë të aksesueshme për shërbimet e sigurisë së Serbisë”.

“Një numër i konsiderueshëm i tyre janë sekuestruar nga Policia e Kosovës me dyshimin se janë përdorur për të monitoruar lëvizjet e qytetarëve dhe institucioneve publike të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovë gjithashtu ka vlerësuar se koha e “banditëve dhe mashtruesve të kthyer në terroristë të ‘Brigadës së Veriut’ dhe ‘Mbrojtjes Civile’ ka ikur”.

“Të gjithë duhet të mësohen me shtetin ligjor në një republikë demokratike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore