Shqipëria

VKM: Ngrihet grupi për menaxhimin e emergjencës, KESH-OST-OSHEE të pezullojnë planet për investime


Përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, është shpallur gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike.

VKM-ja zbulon se do të ngrihet një grup ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencës, e cila do të drejtohet nga Zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj.

Në përbërje të saj do të jetë ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Ndër të tjera, VKM-ja thekson se shoqëritë energjetike “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, duhet të pezullojnë planet e tyre të investimeve.

Kjo, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë.

Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave ngarkon, sakaq, ministren Ibrahimaj që të sigurojë mekanizmat e duhur financiarë.

Këto mekanizma, sipas VKM-së, do të mundësojnë importin e energjisë – për sigurimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike.

Kjo gjendje do të shtrijë efektet e saj deri më 15 prill të vitit 2022.

Deklarata e kryeministrit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave, deklaroi të premten e 8 tetorit, se Shqipëria gjendet në një emergjencë për furnizimin me energji elektrike.

Një plan i posaçëm i Qeverisë për ta përballuar këtë krizë, do të shpallet zyrtarisht të shtunën e 9 tetorit.

“Është e diktuar një situatë e rritjes marramendëse të rritjes së energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare”, theksoi Rama.

Ky vendim, i jep shtetit mundësinë që të ndërhyjë me instrumenta financiarë apo administrativë për ta përballuar situatën.

Gjithçka, sipas kryeministrit, është përllogaritur. Plani i posaçëm do të shkojë në ndihmë të konsumatorëve të të gjithë shtresave.

Nga analiza e ekspertëve, qoftë vendorë apo ndërkombëtarë, Rama cilësoi se çdo vend i botës ka filluar të marrë masa mbi përballimin e kësaj krize të re.

Detajet gjithsesi, varen nga shumë faktorë. Ndër to, edhe mënyra e përballimit të pandemisë dhe ringritjet që shtete të ndryshme kanë parë në masa të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore