Kosova

Krasniqi: Qeveria s’ka realizuar asnjë projekt kapital për Mitrovicën – diskriminim hakmarrës ndaj komunave që nuk i udhëheq LVV-ja


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë vizitës së tij në Mitrovicë ka thënë se Qeveria s’ka realizuar asnjë projekt kapital për Mitrovicën, ai e ka quajtur “diskriminim hakmarrës”, qasjen e Qeverisë në raport me komunat që udhëheqën nga opozita.

Krasniqi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se komunat të cilat nuk i udhëheq Lëvizja Vetëvendosje po mbeten të neglizhuar.

“Fatkeqësisht, Qeveria qendrore, e cila po hyn në vitin e katërt të qeverisjes, nuk e ka realizuar asnjë projekt kapital për Mitrovicën. Diskriminimi hakmarrës i Qeverisë ndaj komunave të cilat nuk i udhëheqë partia e Kryeministrit, është zhgënjyes!”, ka thënë Rama.

Sipas Krasniqit, komunat që udhëhiqen nga PDK-ja janë shembull se si duhet të qeveriset.

“Komunat të cilat udhëhiqen nga Kryetarët e PDK-së, edhe sipas raporteve zyrtare, janë kampione të qeverisjes së mirë, transparencës buxhetore dhe në realizimin e projekteve transformuese për qytetarët”.


“Bedri Hamza është Kryetar shembull, i cili, me punë, përgjegjësi e profesionializëm, po rikuperon kohën e humbur për qytetin e Mitrovicës. Investimet e Kryetarit Hamza në infrastrukturë, shëndetësi, arsim, kulturë, sport, bujqësi dhe sektorë të tjerë, po lehtësojnë dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve të Mitrovicës”.

Bazuar në analizën e Institutit për Studime të Avancuara (GAP) për ndarjet buxhetore për vitin 2024, konsiderohet se Qeveria e Kosovës, ashtu sikurse vitin e kaluar, ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime.

“Ngjashëm me vitin e kaluar, edhe këtë vit, qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje (VV) ku mbi gjysma e kësaj shume (59.5% apo 13 milionë euro) janë orientuar në katër komunat e udhëhequra nga VV (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime). Këto komuna përbëjnë 14.5% të sipërfaqes në Kosovë dhe 11.6% të popullsisë”.

Gjilani edhe sivjet mbetet komuna me vlerën më të lartë të investimeve të reja, sipas institutit GAP, me investime në vlerë prej 6.3 milionë euro, apo rreth 29% të gjithsej investimeve të reja në komuna, ndërsa komuna e dytë me vlerën më të lartë është komuna e Shtimes, me investime të reja në vlerë prej 2.7 milionë euro, apo rreth 12.6% të gjithsej investimeve të reja.

Në raportin e Institutit GAP për ndarjet buxhetore, thuhet se në hartimin e projektbuxhetit të vitit 2024, ekzekutivi është treguar më i matur në planifikimin e të hyrave dhe shpenzimeve sepse parashikohet një rritje e ngadalësuar e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore, përkatësisht 5 dhe 3 për qind, duke arritur në shumën 3 dhe 3.3 miliardë euro.

GAP: Qeveria e Kosovës ndau më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga LVV-ja

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore