Lajme

GAP: Qeveria e Kosovës ndau më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga LVV-ja


Ilustrim

Bazuar në analizën e Institutit për Studime të Avancuara (GAP) për ndarjet buxhetore për vitin 2024, konsiderohet se Qeveria e Kosovës, ashtu sikurse vitin e kaluar, ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime.

“Ngjashëm me vitin e kaluar, edhe këtë vit, qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje (VV) ku mbi gjysma e kësaj shume (59.5% apo 13 milionë euro) janë orientuar në katër komunat e udhëhequra nga VV (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime). Këto komuna përbëjnë 14.5% të sipërfaqes në Kosovë dhe 11.6% të popullsisë”.

Gjilani edhe sivjet mbetet komuna me vlerën më të lartë të investimeve të reja, sipas institutit GAP, me investime në vlerë prej 6.3 milionë euro, apo rreth 29% të gjithsej investimeve të reja në komuna, ndërsa komuna e dytë me vlerën më të lartë është komuna e Shtimes, me investime të reja në vlerë prej 2.7 milionë euro, apo rreth 12.6% të gjithsej investimeve të reja.

Në raportin e Institutit GAP për ndarjet buxhetore, thuhet se në hartimin e projektbuxhetit të vitit 2024, ekzekutivi është treguar më i matur në planifikimin e të hyrave dhe shpenzimeve sepse parashikohet një rritje e ngadalësuar e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore, përkatësisht 5 dhe 3 për qind, duke arritur në shumën 3 dhe 3.3 miliardë euro.

Shkalla e realizimit të buxhetit të ndarë për investime kapitale, thuhet ndër të tjera në analizën e institutit GAP, ka mbetur e ulët. Insituti GAP ka vlerësuar se nga gjithsej 859.2 milionë euro sa janë planifikuar për shpenzime kapitale për vitin 2024, rreth 83% janë vazhdim i projekteve të mëhershme dhe 17% janë planifikuar për projekte të reja kapitale.

“Pjesëmarrja e buxhetit të ndarë për investime kapitale në Bruto Produktin Vendor (BPV) ka një trend rënës nga viti 2017, dhe në vitet 2021 dhe 2022 ka mbetur e pandryshuar, në nivel prej 8%. Për më shumë, shkalla e realizimit të buxhetit të ndarë për investime kapitale mbetet e ulët, në nivel 60% në vitin 2022 dhe në nivel 35% deri në shtator të vitit 2023”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore