Lajme

Kosovë: Numri i aplikuesve nga diaspora për zgjedhjet lokale, dukshëm më i ulët


Ilustrim

Zëdhënësi nga Këshilli Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ), Valmir Elezi në një prononcim për Albanian Post ka bërë të ditur se deri tani 15 mijë e 577 aplikues kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës, ndërsa 3 mijë e 259 të tjerë jo, pasi nuk kanë plotësuar kriteret juridike.

“Gjatë periudhës 40 ditore për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës (10 korrik – 18 gusht) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 18 mijë e 836 aplikacione për regjistrim. Pas shqyrtimit të tyre nga shërbimi votues i KQZ-së, janë aprovuar 15 mijë e 577 aplikacione, ndërsa janë refuzuar 3 mijë e 259 aplikacione”, ka bërë të ditur Elezi.

Shifrat e prezantuara nga KQZ-ja janë shumë më të ulëta në krahasim me zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën më 14 shkurt, në këto zgjedhje ishin regjistruar më shumë se 102 mijë votues nga jashtë vendit.

Madje të njëjtën e thotë edhe vetë Elezi, sipas tij, “Numri i aplikuesve që arritën të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës, është dukshëm më i ulët nëse krahasohet me zgjedhjet parlamentare”.

Zëdhënësi nga Këshilli Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ), Valmir Elezi

Po ashtu, ai deklaroi se shumë shpejt do të publikohet edhe lista e votuesve jashtë Kosovës.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta publikojë së shpejti listën e votuesve jashtë Kosovës, të cilët janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe emrat e tyre do t’i largojë nga lista votuese e cila shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, në mbledhjen e 18 gushtit, ka bërë të ditur se tashmë kanë pranuar 10 mijë e 638 aplikime për regjistrim si votues nga jashtë Kosova, ku prej tyre janë aprovuar 9 mijë e 652.

KQZ, ka miratuar rekomandimin për refuzimin e aplikacioneve nga e-mail e dyshimta që kanë pranuar nga qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës.

Ndryshe, subjektet politike kanë të drejtë 30 ditë për të bërë fushatë zgjedhore. Ndërkaq, shumica prej partive tashmë kanë zyrtarizuar kandidatët për kryetar të komunave.

Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga 17 qershori deri më 16 gusht ka pranuar aplikacionet e 94 subjekteve politike, prej të cilave 32 parti politike, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto subjekte politike është 4 mijë e 922 kandidatë, prej të cilëve 165 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 4 mijë e 757 për kuvende komunale.

Nga 10 korriku, ka filluar aplikimi për regjistrim të votuesve jashtë vendit, për Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Afati për aplikim për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës ka zgjatur deri më 18 gusht, gjithsej 40 ditë në dispozicion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore