Kosova

Kosovë: Kuvendi shkarkon Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit


Kuvendi i Kosovës

Me 65 vota për dy vota kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka votuar për shkarkimin e bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ndërsa me 63 vota për, Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së enjte e kishte futur në rend të ditës shkarkimin e Bordit të Drejtorëve të AKP-së e iniciuar nga ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila.

Ky vendim kishte nxitur debate të ashpra në mes të partive opozitare dhe Qeverisë së Kosovës.

Sipas shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, bordi i ri i cili pritet të emërohet nga Kryeministri Kurti nuk është legjitim pasi që nuk parashihet me ligj.

“Nuk mundët bordi i ri me pas mandat tjetër pasi që mandatin ja përcakton ligji” pohon Tahiri.

Në anën tjetër kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kishte deklaruar se partia që e përfaqëson nuk do e mbështesë këtë iniciativë.

“S’kemi informacion për këtë punë, është shumë joserioze të trajtohet në këtë mënyrë. Ne si Grup Parlamentar e kundërshtojmë një gjë të tillë. Mund të thërrisni seancë një ditë tjetër për këto dy tema”, tha Gashi

Ndërsa sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Artan Abrashi, “privatizimi e ka bankrotuar Kosovën”.

“Data 27 le të jetë datë kur edhe universitetet tona do të mësojnë për pasojat e një procesi shkatërrues siç ishte AKP” ka pohuar Abrashi.

Deputetët nuk e kanë miratuar as raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2020 me 64 vota kundër, tri vota për dhe asnjë abstenim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore