Lajme

Kosovë: AKK kërkon një grant qeveritar i cili do të rregullonte investimet kapitale në nivelin lokal


Ndërhyrja financiare nga niveli qendror në atë lokal në Kosovë shpeshherë ka qenë si nevojë emergjente e nivelit lokal. Kjo praktikë jo në pak raste ka pas edhe investime mbi bazën e përkatësive politike, madje edhe atyre etnike.

Në një intervistë për Albanian Post ka folur Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi i cili ka thënë se kërkesë e tyre është që të krijohet një grant i cili akumulon mjetet financiare të dedikuara nga niveli qendror për atë lokal, në mënyrë që komunat pastaj të kenë mundësi të thithin buxhetin sipas nevojave të tyre që kanë.

“Ne po kërkojmë një grant për komuna ku ministritë i derdhin mjetet financiare për projekte kapitale për komuna me një grant. Pastaj, së bashku me komunat hartohen kriteret për ndarjen e këtij granti”.

Sipas Ibrahimit kjo është një formë shumë e mirë për përkrahje ndaj Komunave sepse me anë të grantit pamundësohet përzierja e politikës sa i përket shpërndarjes së buxhetit për investime kapitale nga niveli qendror për nivelin lokal të qeverisjes.

“Ministritë e ndryshme për shkak të përkatësive të ndryshme politike apo edhe etnike me drejtuar buxhete nëpër komuna të caktuara, pra krijimi i grantit për komuna mund të pamundësoj hilet politike dhe etnike”, është shprehur ai.

AKK, ka kërkuar që të futet ky lloj granti brenda ligjit për financa lokale. Tanimë ligji për financa lokale gjendet në fazën e amandamentimit, pra kjo është koha kur edhe mund të bëhen ndryshimet e nevojshme në këtë ligj përfshi edhe kërkesën e AKK-së.

“Kërkesë e asociacionit ka qenë që të amandamentohet ligji për financa lokale, ku ky ligj vetëm se tani është në fazën përfundimtare të amandamentit, andaj ne kemi kërkuar që një grant i tillë për komuna të futet në ligjin për financa lokale.”

Ibrahimi tutje për Albanian Post ka thënë se në të kaluarën janë parë se si janë kanalizuar projektet kapitale nga niveli qendror për nivelin lokal dhe kjo formë e organizimit të buxhetit për komuna e kërkuar nga asociacioni, do të bënte të pamundur investimet pa konsulta paraprake me komuna.

“Kemi pas raste në të kaluarën kur janë bërë investime në projekte të caktuara nga ministria, ani pse ajo ka qenë kompetencë e komunës. Ky lloj granti do t’i eliminonte në tersi çështjet e tilla. Shembull kemi pas ndërtimin e shkollave nga ana e Ministrisë së Arsimit nëpër komuna, kur dihet se kompetenca është komunale për menaxhimin e shkollimit parafillor, fillor dhe të mesëm. Këtë e kanë bërë njëjtë edhe ministritë e tjera. Ne po kërkojmë që të bëhet ky grant dhe së bashku me komunat të caktohen kriteret e ndarjes së grantit, por edhe hartimi i studimit të fizibilitetit për nevojat e komunave e më pastaj të realizohen investimet”, ka deklaruar ai.

Investimet pa ndonjë plan të fizibilitetit kanë bërë që Qeveritë të bëjnë investime të cilat nuk mund të shfrytëzohen pastaj.

“Kemi rastin e Komunave, ku janë ndërtuar objekte shkollore, por ato objekte të shkollave që tani nuk po shfrytëzohen më.”

Kërkesa e AKK-së është e pa precedent deri më tani. Ata po donë që të rregullohet njëherë e mirë çështja e investimeve kapitale në nivelin lokal nga niveli qendrorë tek komunat, por gjithnjë duke u bazuar në planin e fizibilitetit dhe kritereve që duhet komunat të hartojnë dhe më pastaj edhe t’i plotësojnë.

“Deri më tani nuk kemi ndonjë grant të tillë i cili rregullohet në këtë formë nga niveli qendror. Por, grantet të cilat janë aktualisht nga ministritë, natyrisht ato i kanë kriteret e brendshme. Secila ministri i ka kriteret e veta të brendshme, ku në bazë të tyre ato edhe dërgojnë projekte nëpër komuna. Por, kërkesa jonë është që të themelohet një grant, ku derdhet buxheti i ministrive i dedikuar për nivelin lokal, dhe krijohen kriteret se si mund të shpërndahen ato mjete financiare”, ka përfunduar Ibrahimi.

Kjo do t’i ndërpriste praktikat e deri tanishme, pra nëse një komunë nuk ka nevojë për objekte shkollore por ka nevojë për qerdhe apo kanalizim apo nevoja të tjera, ato mjete me u nda në bazë të nevojës së komunës përkatëse.

Nëse kjo kërkesë e AKK-së realizohet, pra të futet brenda Ligjit për Financat e Pushtetit Lokale, pjesa e kritereve se si të investohet me ato fonde nëpër komuna do të rregullohej me një akt nënligjor, ku nëpërmjet atij akti do të precizoheshin të gjitha kriteret dhe afatet kohore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore