Lajme

Kosovarët më të varfëritë në Evropë


Ilustrim

Kosova është vendi më i varfër në Evropë sa i përket standardit të jetesës.

Bazuar në raportet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, një familje kosovare gjatë një viti mesatarisht shpenzon 7 mijë e 803 euro apo 1 mijë e 551 euro për kokë banori, kështu duke e bërë Kosovën si vendin më të varfër në Evropë dhe rajon.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, të ardhurat mesatare të një individi në Bashkimin Evropian janë rreth 35 mijë e 800 dollarë ndërsa në Kosovë kjo shifër është vetëm 4 mijë e 442 dollarë, e në Serbi rreth 7 mijë dollarë.

Bazuar në të gjeturat e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, vendeve të Ballkanit Perëndimor përfshirë këtu edhe Kosovën, u duhen 40 deri në 200 vjet për të arritur të ardhura mesatare sikurse një shtetas të BE-së.

Ilustrim

Ndryshe Kosova bazuar në të gjeturat e institutit EPIK është i parafundit në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimor sa i përket kohës që do ti duhet për t’u anëtarësuar në BE.

Në hulumtimin “EU Kosovo Scorecard 2021”, Instituti EPIK ka arritur të kuantifikojnë të gjeturat e Raportit të BE-së për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të të gjithë kapitujve të BE-së, duke konstatuar kështu se Kosovës do t’i duhet 62 vjet për t’u anëtarësuar në BE.

Sipas këtij publikimi, Malit të Zi do t’i duhen 38 vjet për tu bërë pjesë e BE-së, ndërsa i fundit në listë gjendet Bosnja dhe Hercegovina, pasi bazuar projeksionit të institutit, Bosnjës do t’i duhen 68 vjet për të qenë pjesë e bllokut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore