Kosova

“Kosova t’i ruaj raportet me Maqedoninë e Veriut, të mos ua rrezikojë sigurinë e shqiptarëve për nevoja të veta”


Analisti politik, Agon Maliqi, ka kërkuar që Qeveria e Kosovës t’i ruaj raportet e mira shtetërore me Maqedoninë e Veriut dhe “që të mos ua rrezikojë sigurinë e shqiptarëve për nevoja/ego të veta”.

Maliqi ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për përfshirje në mënyrë direkte në procesin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut, duke mbështetur koalicionin opozitar – VLEN.

“Shqiptarët e Maqedonisë e dinë vetë se kush i përfaqëson më mirë. Janë ata që zgjohen çdo mëngjes aty, jetojnë me problemet e vendit dhe u duhet të gjejnë mënyra për të bashkëjetuar me shumicën maqedonase(..) Maksimumi i ndërhyrjes duhet të jetë me ofru mbështetje atëherë kur ajo kërkohet prej cilësdo partie shqiptare që është në pushtet si dhe me u koordinu rreth politikës rajonale”, ka shkruar Maliqi në platformën sociale, Facebook.

Agon Maliqi

Kandidati i “Frontit Evropian”, për President të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, është fitues absolut me një diferencë prej rreth 35 mijë votave në raport me kundërkandidatin tjetër shqiptar nga radhët e koalicionit “VLEN”, Arben Taravari, në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit, derisa në kampin maqedonas fitore bindëse, por jo të mjaftueshme për t’u bërë presidente, ka korrur kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova.

Sipas rezultateve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Osmani është renditur i treti nga shtatë kandidatë gjithsejtë sa kanë qenë, duke fituar pothuajse në çdo vendbanim me shumicë shqiptare.

Me rreth 96 për qind të votave të numëruara, kandidati i “Frontit Evropian”, ka grumbulluar plotë 116 mijë e 319 vota, apo 13,38 për qind.

Ndërsa, kundërkandidati i tij shqiptar Taravari, ka marrë 81 mijë vota, apo 9,40 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore