Lajme

Kosova s’po i licencon tre mjekë italianë për operimin e fëmijëve


Ilustrim

Në Kosovë, tre mjekë italianë nuk kanë arritur të marrin ende licencën për të filluar me operacionet e fëmijëve që vuajnë nga sëmundjet e lindura të zemrës.

Projekti është prezantuar në korrik të vitit të kaluar për hapjen e një spitali të kardiokirurgjisë pediatrike nga “Italian Medical Group”, ku synohej që për herë të parë të mund të operohen fëmijët që vuajnë nga kjo anomali.

Mirëpo, një gjë e tillë po pamundësohet për shkak të barrierave administrative për investime në vendin tonë.

Besnik Abazi investitori i vetëm nga Zvicra për këtë projekt dhe specialist i psikiatrisë dhe pronar i Poliklinikës psikiatrike “Rufsteinëeg GmbH”, shprehet i zhgënjyer me institucionet kosovare.

“Është mëkat jo vetëm për shëndetësinë kosovare por për fëmijët të cilët presin me padurim për operacion, prindërit e atyre fëmijëve që presin për shërim të tyre. Kjo është për t’u çuditur se si institucionet tona, konkretisht Ministria e Shëndetësisë në bazë të vendimit apo kryeneçësisë të një zyrtarja që mos të lejohet një projekt i rëndësisë aq i madh dhe të ecë më tutje”, shprehet Abazi.

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës

Ai deklaron se ka dhënë gjysmë milion euro në Prishtinë dhe se janë në gjendje që profesorë, mjekë italianë t’i sjellim në kryeqytet, pasi që është hapur reparti i Kardiokirurgjisë pediatrike.

“Investimi im në Kosovë është që të hapet kardiokirurgjia pediatrike italiane në Prishtinë. Duke u nisur nga fakti se në Kosovë se ka kardiokirurgë pediatrikë, mjekë, kirurgë që operojnë zemrën për fëmijët e lindur me defekte të zemrës në Kosovë. Sot e kësaj dite dërgohen në Stamboll, Beograd, Itali. Në vende tjera të Evropës për shërim”, thotë ai.

Po ashtu, Abazi thotë se për këtë kanë pasur takime të shumta, por që ende nuk po arrijnë të ndihmojnë fëmijët në Kosovë.

“Angazhimi deri më tani ka qenë zero. Ministri Vitia asnjëherë nuk e ka marrë kërkesat tona seriozisht, asnjëherë nuk është përgjigjur në telefonatat tona, me email-at tona. Sipas ligjit një udhëzimi administrativ që është edhe në fuqi në MSH 102011, u mundëson mjekëve jo-kosovarë licencimin dhe barazë-vlerësimin”.

Gjithashtu, edhe drejtoresha gjenerale e “Italian Medical Group sh.p.k”, Angelica Korica ka kritika të ashpra ndaj zyrtares së Ministrisë së Shëndetësisë, Kadrie Sherifit e cila sipas saj kjo e fundit nuk do ua jap licensen këtyre mjekëve.

“Kjo situatë është një skandal i madh, sepse një grua nga Ministria e Shëndetësisë, e cila quhet Kadrie Sherifi, është shefja e re e zyrës për licencim. Asnjëherë më parë nuk kemi pasur problem me ish-shefin Hysni Bajrami. Ne jemi këtu gjashtë vitet e fundit dhe nuk e kemi pasur kurrë problem, kjo është hera e parë, dhe ajo e bllokoi gjithë situatën”, deklaron për KosovaPress, Korica.

Investimet për këtë projekt tashmë janë ndërprerë, Korica thotë se Kosovës i mungon ky trajtim dhe është me rëndësi që të trajtohen fëmijët në vend.

“Ne i kemi ndaluar investimet për arsye të thjeshtë, sepse është projekt shumë i kushtueshëm, pajisjet mjekësore, pajisjet kapitale. Pra kemi ndërprerë të gjithë investimin, kemi investuar deri më sot gjysmë milioni dhe kemi ndërprerë investimet në pajisjet kapitale”, deklaron ajo.

Ilustrim

Besniku dhe Angelica shpresojnë se do të arrijnë që tre mjekët italianë të marrin licencën, por në të kundërtën do të ndjekin edhe rrugët gjyqësore.

Kujtomë se gjatë vitit të kaluar mbi një mijë pacientë kosovarë janë detyruar të kërkojnë mbështetje financiare nga shteti për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore të Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore