Lajme

Kosnnet: Duam që Kosova të jetë partner i fuqishëm


Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Phillip Kosnett

Ambasada amerikane në Prishtinë ka shënuar sot 245-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në ceremoninë virtuale për shkak të pandemisë, Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Phillip Kosnett, ka përmendur edhe ndihmën që SHBA-ja ka dhënë në fusha të rëndësishme për forcimin e institucioneve të shtetit të Kosovës.

“Sikurse SHBA, Kosova është një shoqëri multietnike dhe ne së bashku mund të kemi benefite nga diversiteti, sidomos toleranca ndërmjet njerëzve të etnive, religjioneve dhe zakoneve të ndryshme. Një SHBA, një Kosova. Ne sot do të dëgjojmë se komunitete të ndryshme në Kosovë përdorin investimet amerikane për të ndërtuar një të ardhme më të mire”, ka thënë Kosnett.

Ai ka shtuar se “sot në këtë prezantim virtual të 4 Korrikut, ju do të dëgjoni nga partnerët tanë rreth disa nga sukseset e bashkëpunimit tonë të arritur gjatë vitit të kaluar. Asistenca jonë, qoftë në formë të ndihmës për zhvillim, granteve të edukimit, programeve tona për të ndihmuar profesionalizimin e sektorit të drejtësisë dhe të forcave të sigurisë”.

“Ne dëshirojmë të fuqizojmë qytetarët, institucionet qeveritare dhe organizatat e shoqërisë civile lokale tutje në rrugën e të qenit të pavarur. Në këtë mënyrë Kosova arrin vendin e saj si një partner i barabartë në rajon, brenda Evropës dhe në botë… Të dyja vendet tona duhet të vazhdojnë të luftojnë për të siguruar barazi për të gjithë qytetarët”.

Në këtë ceremoni përmes video-lidhjes nga Kuvajti kanë folur edhe disa nga pjesëtarët e FSK-së, të cilët ndodhen në misionin e tyre të parë jashtë vendit, duke iu bashkuar anëtarëve të Gardës Nacionale të Ioëa të ushtrisë amerikane, si pjesë e operacionit Inherent Resolve.

Ndërkaq liderët politikë në Kosovë kanë uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Ditën e Pavarësisë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 4 korrikut ka thënë se populli i Kosovës ndihet i bekuar me miqtë si SHBA-të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore