Lajme

Liderët në Kosovë urojnë SHBA-të për 245 vjetorin e Pavarësisë


Liderët politikë në Kosovë kanë uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Ditën e Pavarësisë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 4 korrikut ka thënë se populli i Kosovës ndihet i bekuar me miqtë si SHBA-të.

Osmani përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook ka uruar popullin amerikan duke thënë se në momentet më të vështira për kombin shqiptar, Amerika zgjodhi të ishte mbrojtësja dhe promovuesja më e madhe e të drejtave të tij.

“Historia ka dëshmuar se në momentet më të vështira për kombin tonë, Amerika zgjodhi të ishte mbrojtësja dhe promovuesja më e madhe e së drejtës sonë, duke u rreshtuar përkrah nesh në përpjekjet tona për liri”, ka shkruar Osmani.

Sipas saj, miqësia në mes Kosovës dhe SHBA-ve është miqësi që mbështetet sa në përkushtimin tonë ndaj lirisë, po aq edhe në vlerat e përbashkëta të cilat ne i ndajmë me kombin amerikan.

Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar popullin amerikan me rastin e 245 vjetorit të Pavarësisë së SHBA-ve.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se në këtë ditë, shteti i Kosovës i bashkohet festës së popullit dhe institucioneve të SHBA-së, partnerëve dhe aleatëve të pazëvendësueshëm në arritjet e Kosovës.

“Idetë dhe idealet më fisnike, besimi në liri, barazi dhe të drejta individuale, përfshirë të drejtën e çdo personi për të kërkuar lumturinë – që burojnë nga Deklarata e Pavarësisë së ShBA-ve, vazhdojnë të frymëzojnë popuj e individë anembanë botës”, ka shkruar Kurti.

Ditën e Pavarësisë së shtetit amerikan e ka uruar edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Tëitter, ka shkruar “Gëzuar 4 korrikun Amerikë”.

Me rastin e 4 Korrikut, edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dëguar mesazh urimi për popullin dhe qeverinë amerikane, duke thënë se për Kosovën, SHBA-të ishin dhe janë aleati jetik në ekzistencën e Kosovës si shtet dhe si komb.

Përmes një komunikatë për media, Abdixhiku ka theksuar se në momentet më kruciale kur populli i Kosovës po ballafaqohej me jetë apo vdekje, “Shtetet e Bashkuara vepruan në mbrojtjen e idealit për liri dhe çlirim, ideal dhe synim që e kanë të brumosur në vet gjenezën e tyre si shtet nga etërit themelues”.

“Sot është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme në përpjekjen e popullit amerikan drejt arritjes së synimeve dhe idealeve për liri dhe pavarësi. Kosova në gjithë këtë rrugëtim deri më sot, ka arritur falë mbështetjes së pa rezervë të ShBA-së, fillimisht në luftën për liri e më pas edhe në shpalljen e pavarësisë dhe tani e tutje në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar”, është shprehur Abdixhiku.

Sipas tij, SHBA-të mbeten vendi mik më i mirë i Kosovës.

“Raportet tona të ngushta nuk lejojmë asnjëherë të zbehen. Përjetësisht mirënjohës!  Zoti i Bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai.

Në anën tjetër, edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se 4 korriku përçon mesazhin e idealeve të larta dhe vlerave universale të demokracisë, duke shtuar se kjo festë është edhe festë e Kosovës.

“Urimet më të përzemërta për popullin dhe shtetin amerikan, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. 4 korriku është vet mesazhi i lirisë së kombeve. Kosova do të jetë gjithmonë përkrah Amerikës, e cila është shembull që ne me krenari e ndjekim. Andaj 4 korriku është edhe festë e jona”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërkaq, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, ka marrë vendim që në të gjitha kazermat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, të ngritet flamuri amerikan.

Ministri Mehaj, ka thënë se këtë vendim e ka marrë për të nderuar të gjithë burrat e gratë e kombit amerikan, të cilët me sakrificë të madhe dhe vendimin e tyre historik ndryshuan fatin, jo vetëm të kombit amerikan, por edhe të gjithë popujve tjerë liridashës në Botë.

“Si Ministër i Mbrojtjes dhe si qytetarë i Republikës së Kosovës, uroj nga zemra të gjithë burrat e gratë e vendit mik, SHBA-së, me të cilët bashkë, si një trup i vetëm, po rrugëtojmë në zhvillimin dhe forcimin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Po ashtu, Mehaj ka uruar të gjithë, ushtarakët e Forcave Amerikane për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në vendin tonë dhe mbarë botës.

“Një urim të veçantë edhe për të gjithë vëllezërit amerikan në armë me të cilët shërbyem së bashku në operacionet e përbashkëta”, është shprehur Mehaj.

Në Kazermat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, ngritet flamuri amerikan për nder të 4 korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore