Kosova

Konjufca e dërgon në Komisionin e Venecias Projektligjin për KPK-në


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka dërguar në Komisionin e Venecias Projektligjin për Këshillin Prokurorial.

“Në përputhje me përgjegjësitë e tij kushtetuese, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka dërguar për mendim në Komisionin e Venecias Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës”, thuhet në njoftim për media të Kuvendit.

Sipas njoftimit, i njëjti është proceduar në Kuvend ditë më parë nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Duke qenë se drafti ka pësuar ndryshime që nga vlerësimi i Komisionit të Venecias, kryetari Konjufca ka kërkuar opinion për projektligjin në tërësi, duke e konsideruar si vendimtare në arritjen e objektivit për reformim të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe adresimit të shqetësimeve dhe çështjeve të ngritura më parë”.

Po ashtu në njoftim thuhet se si shtet anëtar i Komisionit të Venecias, Kosova mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të parimeve themelore të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Ndërsa Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se e mirëpret gatishmërinë e Konjufcës për t’u konsultuar me Komisionin e Venecias për amendamentet e rishikuara në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës i cili ishte miratuar në mbledhjen e 13 korrikut të Qeverisë së Kosovës.

“E mirëpres gatishmërinë e Glauk Konjufcës që të konsultohet me Komisionin e Venecias për amendamentet e rishikuara në Ligjin për KPK-në. Pajtueshmëria me standardet evropiane është prerogativë kryesore në zbatimin e reformave”, ka shkruar ai.

Ai ka theksuar se rekomandimet e Komisionit të Venecias duhet të zbatohen plotësisht në finalizimin e kësaj nisme të rëndësishme ligjore.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e 13 korrikut, ka votuar pro projektligjit për plotësim ndryshimin për Ligjin Prokurorial, projektligj ky i cili fillimisht nuk kishte kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, pati thënë për Albanian Post se vendimi i Qeverisë për plotësim ndryshim të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës është tentativë re e Qeverise për të cenuar pavarësinë e KPK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore