Përballje

Kombëtaret afrikane hyjnë në fazën finale të kualifikimeve në Katar, rikthehet sfida Senegal – Egjipt


10 kombëtare afrikane do të kërkojnë pesë vende nga ky kontinent, për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, “Katar 2022”.

Sfidat e para janë zhvilluar më 25 mars, derisa sonte (e martë) do të zhvillohen pesë ndeshjet finale, për të prerë po aq bileta për në Katar.

Gjithçka do të nisë në orën 19:00, me kryendeshjen në mes të Senegalit dhe Egjipt.

Dy finalistët e Kupës së Afrikës u vendosen përballë njëra tjetrës për një biletë në Katar, ndërsa në sfidën e parë, Egjipti i Salah-ut triumfoi minimalisht pas një autogoli të Ciss.

Në shtëpi Mane me shokë do të kërkojë përmbysjen për të prekur fazën finale të Kupës së Botës.

Po në të njëjtën orë do të zhvillohet edhe sfida tjetër interesante mes Nigerisë dhe Ganës.

Ndeshja e parë mes këtyre dy ekipeve nuk prodhoi fitues pas barazimit pa gola, andaj gjithçka është e hapur dhe pse vendasit nisen si favoritë.

Tre sfidat e tjera do të luhen në orën 21:30, ku më interesantja është ajo mes Algjerisë dhe Kamerunit.

Vendasit do të provojnë të ruajnë avantazhin minimal të sfidës së parë, me golin e Islam Slimani-t.

Në anën tjetër, Kameruni dominoi në takimin e 25 marsit, por nuk ia doli të shënonte, ndërsa në këtë mbrëmje, pavarësisht rezultatit në sfidën e parë, kualifikimi mbetet i hapur.

Maroku nuk shkoi më shumë se barazimi 1:1 ndaj Republikës së Kongos në sfidën e parë, duke lënë të hapur çështjen e kualifikimit.

Në këtë mbrëmje vendasit janë favoritë në letër, por tani duhet ta vërtetojnë edhe në fushë që e meritojnë te jenë në Botëror, ndërsa në krahun tjetër Kongo është gati për surprizë, duke ditur edhe faktin që presioni do të jetë mbi kundërshtarin.

Në takimin e fundit, Tunizia do të kërkojë të ruajë avantazhin e sfidës së parë ndaj Malit, pas suksesit minimal 1:0.

Përfaqësuesja e Malit nuk do të ketë në dispozicion figurën famëkeqe të ndeshjes së parë, Moussa Sissako-n, i cili shënoi autogol dhe u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 40-të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore