Lajme

“Koalicioni VV-Guxo, është i qëndrueshëm deri në vitin 2029”


Deputeti nga radhët e Listës “Guxo” që vepron në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli.

Deputeti nga radhët e Listës “Guxo” që vepron në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, ka thënë se koalicioni i VV-së me Listën “Guxo”, do të jetë i qëndrueshëm deri në vitin 2029.

“Koalicioni i shpresës për Kosovën VV Guxo, i krijuar me vullnetin e shumicës së Kosovarëve do jetë i qëndrueshëm dhe si asnjëherë më i fortë e funksional”.

“Prandaj të dashur miq që pajtohemi e që s’pajtohemi , qetësohuni, përgatituni të përshtateni me udhëheqjen e Kosovës nga Presidente Vjosa Osmani, e kryeministër Albin Kurti edhe për shumë vite”, ka shkruar Avdyli në Facebook.

Ai konsideron që për rezultatin e arritur në zgjedhjet lokale u bënë bashkë një numër i madh i faktorëve.

“Për zgjedhje lokale u bënë bashkë krejt partitë, analistë,  portale, biznese legale e nëntoka ish politikanë e shumë tjerë që investuan çdo gjë nga arsenali tyre për të ardhur deri te ky rezultat. Mirë shumë. Ju themi urime”.

Ndërsa, bëri të ditur se ndaj tij është bërë një fushatë denigruese në rrjetet sociale.

“Por ajo që vërehet këto muajt e fundit e veçanërisht ditët e fundit, e unë e vërejta edhe dje që ku pata mbi 100 telefonata të mediave e mbi dhjetëra artikuj portalesh e mos te flasim për komente banale me emrin tim të biznesmenëve të pseudo portaleve”.

Lista “Guxo”.

Të gjitha këto u bënë me një qëllim i cili është i qartë thotë Avdyli.

“Të ushqejnë përçarje, e ndjellin pakënaqësi e tronditje mes koalicionit të Listës së referendumit të 14 shkurtit. Dhe sipas tyre shigjetat duhet orientohen te hallka më dobët, (e menduar nga ata) te Ministrat, deputetë e aktivistë nga Lista Guxo”.

Haxhi Avdyli i listës “Guxo”, ishte emri që u përfol që të merrte postin e të parit të Shëndetësisë.

Pas vendimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili emëroi Rifat Latifin si ministër të ri të Shëndetësisë, Avdyli ka shkruar në Facebook se janë duke punuar për disa ligje të shëndetësisë.

Më 10 nëntor, ministri i Bujqësisë nga radhët e Listës Guxo, Faton Peci u pyet nga gazetarët lidhur me këtë çështje.

Ai tha se për emrin e ri të ministrit të Shëndetësisë do të vendos kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore