Lajme

Udhëheqja e Ministrisë së Shëndetësisë mund t’i kalojë Listës Guxo


Ministria e Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë që nga dorëheqja e Arben Vitisë, është duke funksionuar me ushtrues detyre, ku është emëruar Dafina Gexha-Bunjaku.

Qeveria e Kosovës ende s’ka caktuar një emër të ri për ministër të Shëndetësisë.

Por nuk është përjashtuar mundësia që ky sektor të udhëhiqet nga një pjesëtar i Listës “Guxo”, partnere e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në konferencë për media, ministri i Bujqësisë nga radhët e Listës Guxo, Faton Peci u pyet nga gazetarët lidhur me këtë çështje.

Ai tha se për emrin e ri të ministrit të Shëndetësisë do të vendos kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Tash unë këtu kam dalë për të diskutuar për zhvillimet e fundit në sektorin e bujqësisë. Se cili do të jetë emri i ri i ministrit të Shëndetësisë do ta vendos kryeministri”.

Ministri Peci u pyet edhe nëse ministri do të jetë nga Lista Guxo, mirëpo ai tha se nuk mund të flasë për emrin.

“Ne si partner i Qeverisë normalisht që do ta kemi pjesën e konsultave, por nuk mund të flas se cili do të jetë ministri i Shëndetësisë”, deklaroi Peci.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci

Ndërsa, sipas tij kryeministri me siguri do të flasë me të gjithë partnerët e koalicionit për të vendosur për udhëheqjen e kësaj ministrie.

“Është çështje e kryeministrit, në diskrecionin e tij. Ai me siguri që do t’i bëjë të gjitha veprimet ose konsultat paraprake me të gjithë akterët relevantë edhe në Vetëvendosje, edhe në Listën Guxo, edhe në partnerët tjerë të koalicionit”, tha Peci.

Më 1 tetor ish ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia njoftoi për dorëheqjen e tij nga ky post, për t’u fokusuar në garën për Prishtinën.

Këtë vendim tha se e ka marrë në bashkërendim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje.

Duke bërë të ditur se ushtruese e detyrës së ministres së Shëndetësisë do të jetë Dafina Gexha-Bunjaku.

Vitia ka thënë se s’do të kthehet në këtë post, pavarësisht rezultatit në zgjedhje.

Ish ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në zgjedhjet lokale të 17 tetorit kishte marrë 35 mijë e 433 vota ose 42,33 për qind ndërsa kundër kandidatit i tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 24 mijë e 572 vota apo 29,35 për qind.

Të dy garojnë përsëri për kryetar të Prishtinës në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune që do të mbahet më 14 nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore