Zgjedhjet në Kosovë

Kërkohet hetim i votave të ardhura nga diaspora në Kosovë


Kutitë e votimeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve(KQZ).

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është kërkuar që të hetohen votat të cilat kanë ardhur nga diaspora për shkak të dyshimeve se në ato vota mund të ketë pasur manipulime.

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në KQZ, Arianit Elshani deklaroi se i ka parë disa nga fletëvotimet që po ruhen në Ministrinë e Transportit dhe sipas tij duket qartë se një numër më të madh i ka shkruar i njëjti person.

“Në zgjedhjet e shkurtit kemi filluar numërimin për votat nga jashtë mandej me kusht. Kjo me qëllimin e vetëm të kemi qartësi. Është mirë të na sqarojë sekretariati. Sa i përket çështjes me votat nga jashtë për tre komuna Mamushë, Junik dhe Dragash janë dukshëm më të vogla”, deklaroi Elshani.

Ai shtoi se, “edhe sot isha në Ministri të Transportit edhe i kam parë, duket qartë që disa nga këto fletëvotime të dhënat aty i ka plotësuar i njëjti person. Prandaj këto kërkojnë një hetim dhe të verifikohen në qoftë se këta persona janë regjistruar”.

Zgjedhjet lokale.

Kështu duke bërë kërkesën që të fillohet verifikimi nga KQZ-ja.

“Është mise e nevojshme që këto aplikime t’i nënshtrohen një verifikimi nga KQZ. Duhet të bëhet një hetim nga KQZ dhe të kemi një raport në bazë të qyteteve nga ku kanë ardhur ato”.

Edhe Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), u shpreh se është pro këtij propozimi.

“Prej tri komunave po na dalin në shumë. Një shumë aq e madhe e njerëzve konfirmojnë 0.3% që nuk kanë aplikuar janë për t’i parë krejt votimi me post. Për shkak që ka hajna të votave. Prandaj jam për t’u ndjekur procesi që të verifikohen”, deklaroi Kurteshi.

E Florian Dushi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), po ashtu bëri kërkesë që të ketë verifikim të këtyre votave në zgjedhjet lokale.

“Konsideroj se sekretariati e din kohën e numërimit të votave, nuk kam problem edhe nëse shtyhet. Ne si institucion nuk është mirë të merremi me spekulime që mund ti gjejmë në media”, theksoi Dushi.

Fletëvotimet.

Dushi deklaroi se, “shqetësimet i kemi pasur që në periudhën e regjistrimit të votuesve. Jam pro asaj që sekretariati të zhvilloj krejt çfarë duhet në kuptimin e hetimit dhe konfirmimit të atyre zarfeve që kanë ardhur nga jashtë”.

Më 13 nëntor, Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë për Albanian Post se kanë pranuar 1 mijë e 571 pako të supozuara me fletëvotime.

“Gjatë periudhës së votimit përmes postës (29 tetor – 12 nëntor) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 1,571 pako të supozuara me fletëvotime”, deklaroi Elezi.

Balotazhi në Kosovë është mbajtur me 14 nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore