Zgjedhjet në Kosovë

Përfundon votimi nga diaspora, KQZ pranon 1 mijë e 571 pako me fletëvotime


Ilustrim.

Procesi i votimit përmes postës për komunat në të cilat mbahet raundi i dytë i Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave në Kosovë ka përfunduar të premten në mesnatë.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë për Albanian Post se kanë pranuar 1 mijë e 571 pako të supozuara me fletëvotime.

“Gjatë periudhës së votimit përmes postës (29 tetor – 12 nëntor) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 1,571 pako të supozuara me fletëvotime”, deklaroi Elezi.

Të drejtën për të votuar për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave e kanë vetëm votuesit e komunave në të cilat do të ketë zgjedhje.

Elezi sqaroi po ashtu edhe numrin e votuesve jashtë Kosovës për secilën komunë ku mbahet raundi i dytë.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

Në komunën e Gjakovës janë 1 mijë e 29 votues, në Gllogoc janë 175, në komunën e Gjilanit janë 607, në Dragash janë 1 mijë e 90 votues, Istog 707, ndërsa Kaçanik 166 votues.

Në komunën e Klinës janë 437 votues, në Fushë Kosovë janë 135, në Kamenicë janë 442 votues, në komunën e Obiliqit janë 60 votues.

Në Rahovec numri i votuesve është 382, në Podujeve është 337, në Prishtinë është 666, në komunën e Prizrenit është 921, në Shtime është 116, në Viti është 754.

Ndërkaq, në komunën e Vushtrrisë është 174, në Malishevë 714, në Junik është 1 mijë e 54, në Mamush është 192, ndërsa në Kllokot numri i votuesve jashtë Kosovës është dhjetë.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë do të mbahet më 14 nëntor.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale numri i qytetarëve që kishin arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës ishte 15 mijë e 532 votues, kurse KQZ kishte pranuar 9 mijë e 610 zarfe me vota e që krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, kishte rënie të dukshme.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), 21 komuna shkuan në balotazh.

Komunat ku do të mbahen zgjedhjet për balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Podujeva, Kamenica, Drenasi, Dragashi, Istogu, Kaçaniku, Klina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Rahoveci, Shtimja, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.

Komunat të cilat kanë shënuar fitore duke mos shkuar fare në balotazh janë Deçani, Mitrovica Jugore, Leposaviçi, Lipjani, Novebërda, Peja, Shtërpca, Suhareka, Ferizaj, Zubin Potoku, Zveçani, Hani i Elezit, Graçanica, Ranillugu, Parteshi, Mitrovica Veriore dhe Skenderaj. Që një kandidat të fitojë pa balotazh i duhen 50 për qind plus një votë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore