Lajme

Katër shtetas rusë kalojnë kufirin ilegalisht, ndalohen nga Policia e Kosovës


Ilustrim

Katër shtetas rusë janë ndaluar nga Policia e Kosovës, të hënën e 15 nëntorit për arsye të “kalimit të paautorizuar të kufirit, ose vijës kufitare”.

Përmes një njoftimi të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se shtetasit rusë janë ndaluar, derisa po tentonin të kalonin ilegalisht kufirin me anë të një veture të dyshuar të tipit “Opel Astra”, në afërsi të qytetit të Leposaviqit.

Lidhur me këtë rast, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë se të dyshuarit kishin përdorur rrugë alternative për të hyrë në mënyrë ilegale në Kosovë.

Daut Hoxha – Zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Hoxha nuk ka zbuluar më tepër detaje rreth këtij rasti të sapo ndodhur, ndërsa në një prononcim për “Radio Evropa e Lirë”, ka thënë se çështja i mbetet Prokurorisë, e cila po e trajton rastin dhe ka dhënë urdhër për mbajtje 48 orëshe të shtetasve rusë.

Mes tjerash, në njoftimin e policisë thuhet se bëhet fjalë për dy burra dhe dy gra.

Ndërkaq, me 22 tetor të këtij viti, Kosova kishte urdhëruar dëbimin e dy diplomatëve rusë, duke akuzuar Moskën për aktivitete “destabilizuese”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pati thënë se institucionet e vendit janë të vendosura në luftën kundër ndikimit qëllimkeq të Rusisë dhe “satelitëve të saj në rajon”, të cilët, sipas saj, synojnë rrënimin e arritjeve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara, NATO-s, dhe Bashkimit Evropian.

Kujtojmë se Rusia e kundërshton pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2000.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore