Kosova

“Kapja e KPK-së nga pushteti” – Çka thuhet në projektligjin e ri të miratuar nga Qeveria


Shoqëria Civile, opozita dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës kanë dalë kundër vendimit të Qeverisë për plotësim ndryshim të Ligjit për KPK-në, projektligj ky i cili fillimisht nuk kishte kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese më 24 mars të këtij viti.

Ndërsa këtë projektligj këtë të enjte e ka prezantuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në Komisionin Parlamentar për Legjislacionin, derisa deputetët e opozitës e kanë cilësuar si problematik dhe të rrezikshëm për demokracinë.

Projektligji i ri i cili është hartuar pas analizimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas Haxhiut adreson vendosjen e kritereve për përbërjen e Këshillit, fuqizimin e rolit dhe rritjen e transparencës.

Çka përmban projektligji për KPK-në?

Në Projektligjin për Këshillin Prokurorial të cilin e posedon Albanian Post thuhet se qëllimi i këtij ligji është ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës përmes ndryshimit të përbërjes së Këshillit, kushteve dhe procedurës për zgjedhjen e anëtarëve të tij, dhe përcaktimit të dispozitave për kuorumin e Këshillit dhe parandalimin e konfliktit të interesit.

Sipas këtij projektligji, parashihet që të ndërrohet mënyra e funksionimit të Këshillit Prokurorial, por gjithashtu edhe përbërja e këtij këshilli.

Në nenin 6 thuhet se anëtarët e Këshillit janë Kryeprokurori i Shtetit sipas detyrës zyrtare, tre anëtarë prokurorë, të zgjedhur nga sistemi prokurorial, një prokuror i zgjedhur nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Apelit apo Prokurorisë Speciale, dy prokurorë të zgjedhur nga radhët e prokurorive themelore, dhe tre anëtarë jo prokurorë, të zgjedhur nga Kuvendi, prej të cilëve një zgjidhet në bazë të dy nominimeve që pranohen nga Avokati i Popullit për përfaqësues nga radhët e anëtarëve të organizatave të shoqërisë civile, në përputhje me kushtet ligjore.

Ndërsa sipas nenit 21, KPK-së deri në vitin 2026 i shtohen edhe tetë anëtar jo prokurorë të zgjedhur nga Kuvendi, përveç atyre që janë anëtarë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij Ligji,

“Nga tetë anëtarët jo-prokurorë, dy prej tyre zgjedhen në bazë të katër nominimeve që pranohen nga Avokati i Popullit për përfaqësues nga radhët e anëtarëve të organizatave të shoqërisë civile, ndërsa një pozitë rezervohet për profesorët universitar të drejtësisë”, thuhet në projektligj.

Por, kjo zgjidhje nuk ishte përkrahur nga ana e Komisionit të Venecias, por as në Strategjinë për Sundim të Ligjit të cilin e më 11 gusht të vitit 2021 e kishte miratuar Qeveria.

“KPK do të bëhej shumë e madhe mbi më shumë se 20 anëtarë, në raport me numrin e vogël të prokurorëve në Kosovë. Kjo zgjidhje sigurisht se do të ishte shumë e kushtueshme….” thuhej në raportin e Komisionit të Venecias.

IKD dhe FOL: Rrezikohet politizimi i KPK-së

Sipas organizatave jo qeveritare IKD dhe FOL, me përbërjen prej 19 anëtarëve të KPK-së, ku tetë prej tyre do të jenë jo prokurorë rrezikohet skajshmërisht politizimi Këshillit, duke përfshirë rrezikun për bllokim të tërësishëm të vendimmarrjes, kjo pasi nëse zgjedhen të gjithë anëtarët jo prokurorë atëherë korumi do të formohet me 12 anëtarë të KPK-së, që në çdo rast do të krijonte një varësi nga shumica qeverisëse.

“Për të mos ardhur deri tek një bllokadë në vendimmarrje, ku interesat e ngushta të asnjë grupi nuk do të mbizotëronin, në opinionin e dytë, Komisioni i Venecias kishte rekomanduar që ligjvënësi kosovar, në koordinim me partnerët e tjerë të përcaktojë parametra specifikë të mekanizmave kundër-bllokadë, që KPK të mund të marrë vendime edhe kur anëtarët prokurorë dhe joprokurorë nuk mund të arrijnë kompromis”, thuhet në reagim.

Por sipas tyre, në rastin konkret ky rekomandim i Venecias nuk është adresuar nga Minisria e Drejtësisë as në përbërjen prej 19 anëtarëve as kur KPK do të mbetet me 7 anëtar pas vitit 2026.

“Në këtë mënyrë, Projektligji për KPK i miratuar nga ana e Qeverisë, nuk është në linjë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe Opinionet e Komisionit të Venecias”.

Ndërsa Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, i ka dërguar një letër Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, ku i ka kërkuar që draft-ligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) – i cili ishte miratuar në mbledhjen e 13 korrikut të Qeverisë së Kosovës, projektligj ky i cili fillimisht nuk e kishte kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese – ta dërgojë për konsultim në Komisionin e Venecias.

Maloku për AP: Ligji i ri për Këshillin Prokurorial, iniciativë e njëanshme e Qeverisë

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, ka thënë për Albanian Post se vendimi i Qeverisë së Kosovës për plotësim ndryshim të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës është tentativë re e Qeverise për të cenuar pavarësinë e KPK-së.

“Është një iniciativë e njëanshme e Qeverisë së Kosovës për ta bërë edhe një draft-ligj jashtë vendimit të Gjykatës Kushtetueses e cila përmbysi edhe tentativën e parë për ndryshim të këtij Ligji”, tha Maloku.

Sipas tij, miratimi i Ligjit të ri për KPK-në është vazhdim “i procesit të njëanshëm të Qeverisë së Kosovës”, i cili minon bashkëpunimin për procesin e reformës, të shprehur përmes nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët të Zotimit nga institucionet relevante të drejtësisë.

“Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së tij, Qeveria e Kosovës nuk është mjaftuar me verdiktin e organit më të lartë kushtetues në vend dhe ka vazhduar me moskoordinimin e plotë dhe ka miratuar me nxitim dhe në mënyrë të njëanshme këtë projektligj tejet të rëndësishëm”, shtoi ai.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e pati shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët vitin e shkuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore