Lajme

Szunyog letër Konjufcës, i kërkon ta dërgojë draft-ligjin e ri për KPK-në në Komisionin e Venecias


Shefi i zyres se BE-se ne Kosove, Tomas Szunyog.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, i ka dërguar një letër Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, ku i ka kërkuar që draft-ligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) – i cili ishte miratuar në mbledhjen e 13 korrikut të Qeverisë së Kosovës, projektligj ky i cili fillimisht nuk e kishte kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese – ta dërgojë për konsultim në Komisionin e Venecias.

“Marrë parasysh rëndësinë e kësaj iniciative dhe faktit që draft-ligji përfshin dispozita të reja që më parë nuk janë vlerësuar nga Komisioni i Venecias, unë iu inkurajoj fuqishëm që të (ri) konsultoni Komisionin e Venecias dhe të siguroheni që rekomandimet e tij janë inkorporuar siç duhet në draft-ligjin e finalizuar”, ka shkruar në letrën e tij Szunyog.

Ndërkaq, ai ka shprehur gatishmërinë që edhe zyra e BE-së të ndihmojë me komente dhe asistencë teknike në Kuvendin e Kosovës.

Zyra ime, pohon diplomati evropian “është e gatshme të punojë me Kuvendin për këtë iniciativë dhe ne do të japim komente teknike për tekstin e projektligjit, pasi të fillojë procesi i shqyrtimit brenda Kuvendit dhe organeve të tij”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e 13 korrikut, ka votuar pro projektligjit për plotësim ndryshimin për Ligjin Prokurorial, projektligj ky i cili fillimisht nuk kishte kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka cilësuar ri-miratimin e Projektligjit në fjalë si tentativë të re për të cenuar pavarësinë e tij.

KPK-ja, përmes një reagimi për media, ka theksuar se miratimi i Ligjit të ri për KPK-në është vazhdim i procesit të njëanshëm të Qeverisë së Kosovës, i cili, njëkohësisht, minon bashkëpunimin për procesin e reformës, të shprehur përmes nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët të Zotimit nga institucionet tona relevante të drejtësisë.

“Këshilli Prokurorial, deklaron se përkundrejt asaj që Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së tij, Qeveria e Kosovës nuk është mjaftuar me verdiktin e organit më të lartë kushtetues në vend dhe ka vazhduar me moskoordinimin e plotë dhe ka miratuar me nxitim dhe në mënyrë të njëanshme këtë Projektligj tejet të rëndësishëm, pa përfillur fare Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe procesin e reformës në drejtësi dhe duke injoruar plotësisht bashkërendimin e nevojshëm me sistemin prokurorial dhe partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.

KPK-ja, ndër të tjera në komunikatën për media. ka theksuar se sistemi prokurorial ka përkrahur reformën e filluar, përfshirë ndryshimet ligjore, për të cilat është shprehur vullneti i angazhimit të përbashkët, porse kjo nismë ligjore është dashur të realizohet në kohën e duhur, andaj sipas tyre, “çdo rikthim i iniciativave dhe i vendimeve të këtij lloji, pa respektuar ndarjen e pushteteve dhe pa koordinimin e ndërsjellë, siç ka ndodhur në të kaluarën dhe siç po ndodhë edhe tani nga ana e Qeverisë së Kosovës, është kthim i madh prapa dhe sjellë dështim”.

Andaj KPK-ja ka paralajmëruar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese për ta kontestuar përmbajtjen e Ligjit të ri të KPK-së, pasi që i njëjti anashkalon standardet ndërkombëtare, duke pamundësuar funksionalizimin e tij dhe duke e bërë atë lehtësisht të ndikuar nga politika”.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës, potencon se mbetet i përkushtuar për të mbështetur proceset e përgjithshme reformuese dhe angazhohet që së bashku me të gjithë partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, të bashkëveprojë në çdolloj nisme që ka për qëllim reformimin e nevojshëm, në mënyrë që të fuqizohet sundimi i ligjit në Kosovë dhe sistemi prokurorial të bëjë punën e vet të pavarur, profesionale, llogaridhënëse dhe transparente”, thuhet në njoftim.

Pas analizimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe adresimit të gjetjeve kryesore, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shpalosi para ministrave versionin e ri të projektligjit në fjalë, version ky i cili është përpiluar pas konsultimit me të gjithë akterët, përfshirë Këshillin Prokurorial, shoqërinë civile dhe partnerët.

“Ky projektligj është pjesë e reformave tona përmes të cilave po synojmë që të kemi një sistem të drejtësisë efikase e veçanërisht ta reformojmë Këshillin Prokurorial, ashtu që i njëjti të jetë një organ ku dominon pluralizmi, pavarësia, integriteti, transparenca dhe sundimi i ligjit”, theksoi Haxhiu.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e pati shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët evitin e shkuar.

Ligji i ri për Këshillin Prokurorial, KPK: Tentativë e re për të cenuar pavarësinë tonë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore