Kosova

5 persona lëndohen nga tentim vrasja në Gjakovë – të dyshuarit në arrati


Ilustrim.

5 persona janë sulmuar të hënën në Gjakovë, të cilët më pas kanë pranuar tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe në Spitalin e Gjakovës.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, teksa rasti është iniciuar si “tentim vrasje”.

“Pesë viktima, katër meshkuj dhe një femër, kanë pranuar trajtim mjekësor pasi që dyshohet se pas një mosmarrëveshje verbale, janë sulmuar fizikisht me mjete të forta nga persona të panjohur të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe gjenden në arrati (nuk dihet identiteti i tyre)”.

Nga policia është thënë se rasti po vazhdon të hetohet.

“Njëri prej viktimave është dërguar në QKUK, njëri në spitalin e Gjakovës, ndërsa tre të tjerët pas trajtimit mjekësor janë liruar”, është thënë në raport.

Edhe në Podujevë, janë arrestuar katër persona kjo për shkak se kishin sulmuar dy persona të tjerë duke u shkaktuar lëndime trupore.

Rasti nga policia është iniciuar si “lëndim i rëndë trupor”.

“Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë,  pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje  rreth një kontesti pronësor, i kanë sulmuar fizikisht dy viktimat meshkuj kosovarë, të cilëve u kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore”.

“Dy viktimat dhe tre të dyshuarit kanë pranuar tretman mjekësor.  Me vendim të prokurorit është kontrolluar shtëpia  e të dyshuarve,  por nuk është gjetur asgjë  ndërsa të  dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje”, është thënë për rastin në fjalë.

Ndërkaq, për sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në Leposaviq është sqaruar se sulmi është bërë duke hedhur një shishe qelqi në drejtim të veturave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.

“Njësitet policore gjatë kontrollit tek i dyshuari kanë gjetur dhe konfiskuar një xhaketë të ushtrisë me emblemë serbe, po ashtu është sekuestruar vetura e cila është përdorur për bllokim të rrugës”.

“Me vendim të prokurorit është kontrolluar shtëpia e të njëjti ku është gjetur dhe konfiskuar, një pushkë gjuetie,  katër fishekë,  një radio lidhje dhe  shtatë xhaketa të  ushtrisë, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”.

Në Komunën e Obiliqit, një zyrtar policor është penguar gjatë kryerjes së detyrës së tij rasti është iniciuar si “pengim i personit zyrtar”.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar- i mitur, pasi që i njëjti kishte kanosur dhe penguar zyrtarët policorë”.

Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore