Kosova

Kallëzimet penale të Hajdarit dhe Kusarit, Hoti: Asnjëra padi nuk ka të bëjë kundër atyre që thuhen në incizime


Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas padive që këtë të premte kanë bërë Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ndaj mediumit “Nacionale” pas publikimit të audio-incizimeve që tregojnë për keqpërdorimet që janë bërë me rezervat shtetërore, dhe asaj që kryeshefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, bëri ndaj ish deputetit dhe zyrtarit të Listës Serbe, Slavko Simiç, po ashtu për audio-incizimet të cilat janë publikuar nga i njëjti medium.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se “dy padi janë dorëzuar sot në organet e drejtësisë nga dy eksponentë të pushtetit të majtë kundër atyre që potencialisht i kanë incizuar dhe atyre që i kanë publikuar disa biseda ku përfshihen këta eksponentë të pushtetit”.

“Paradoksalisht, me aq sa u publikua në media, asnjëra padi nuk ka të bëjë kundër atyre që thuhen në incizime”, theksoi Hoti.

Sipas tij, kjo është “situata absurde në një demokraci”, duke shtuar se “një politikan normal, që ndjen përgjegjësi publike, do të kishte dhënë dorëheqje derisa të sqaroheshin këto ngjarje nga organet e drejtësisë”.

“Sigurisht se nuk pres nga këta demagogë të marrin ndonjë përgjegjësi. Sepse këta janë të njëjtit që e mbajnë në detyrë një ambasador që potencialisht mund të akuzohet për skandal milionësh, ndaj të cilit është kryer edhe hetim parlamentar”, pohoi ai, duke iu referuar rastit të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet për afera korruptive.

Këta janë të njëjtit, potencoi ish-kryeministri i Kosovës, që nuk e shkarkojnë Kryeshefin e KEK-ut (Nagip Krasniqi), “por e mbajnë të suspenduar dhe e paguajnë pagë mbi 1500 euro në muaj, edhe pse me sa di ai është në paraburgim”.

Këtë të premte Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka dorëzuar padi ndaj mediumit “Nacionale”, pas publikimit të audio-incizimeve që tregojnë për keqpërdorimet që janë bërë me rezervat shtetërore, ndërsa, Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ndaj ish deputetit dhe zyrtarit të Listës Serbe, Slavko Simiç, po ashtu për audio-incizimet të cilat janë publikuar nga i njëjti medium.

Sipas Kusarit-Lila këto audio-incizime nuk e kanë për qëllim informimin e drejtë.

Lajmin e ka bërë të ditur ajo përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Dorëzova Kallzim penal ndaj ish nënkryetarit të Kuvendit, ish deputetit dhe zyrtarit të Listës Serbe, Slavko Simiç”.

“Inçizimi dhe publikimi i inçizimit të jashtëligjshëm nga ish Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Slavko Simiç shpërndarja e tyre me interpretime dhe ndërhyrje, nuk e kanë qëllimin as informimin e drejtë, as ndonjë parim tjetër. Ato janë akte penale në njërën anë, dhe aktivitete dizinfomuese nga ana tjetër”.

Nga ana tjetër, ministrja Hajdari tha se “tentimet e dështuara për të cenuar integritetin dhe dinjitetin tim, përmes disa audio-incizimeve por edhe duke i dhënë vehtes të drejtën për të shpifur, duke shantazhuar dhe shpërndarë informacione të pavërteta, do të marrin epilog në organet e drejtësisë”.

“Prandaj, sot për këtë qëllim, kam dorëzuar padi në Gjykatën Themelore, në Prishtinë, kundër Gazetës Nacionale, gazetarit Berat Buzhala dhe zyrtarit të MINT, Enver Hajrullahu”, ka shkruar Hajdari.

Lexo edhe këtë: Shpjegim në detaje – Çfarë shkelje ligjore i kërkoi të kryente zyrtarit Enver Hajrullahu ministrja Rozeta Hajdari

Sipas saj, këto përgjime janë “sulme të vazhdueshme ndaj saj” dhe “shpifje” e që nuk duhet të kthehen në normalitet.

“Sulmet e vazhdueshme shpifjet, fyerjet dhe të pavërtetat, nuk duhet të lejojmë të kthehen në diçka të zakonshme, sepse dëmi që i bëhet opinionit publik, shoqërisë tonë mund të jetë i jashtëzakonshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore