Lajme

Josep thotë se “puthjen e vdekjes” ndaj nismës së Open Balkan e dha Sergej Lavrov


Profesori në John Hopkins University, Edward P. Joseph

“Njëjtë siç duhet falënderuar Putinin që ka injektuar jetë në NATO, nderime edhe ndaj Sergej Lavrov që i dha puthjen e vdekjes Open Balkans”.

Kështu është shprehur profesori dhe eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Edward P. Joseph pas lartësimit që kryediplomati rus Sergej Lavrov i bëri iniciativës rajonale “Open Balkan”, të cilën edhe e quajti iniciativë meritore të Beogradit.

Lavrov, madje më tej, për të mbitheksuar mbështetjen ruse ndaj Serbisë, tha se “BE dhe ShBA dëshirojnë Ballkan të Mbyllur”, duke i dhënë edhe më tej konfirmim kritikëve të Open Balkan për ta kundështuar atë.

“Ky prodhim foshnjor mendor i administratës së Trump e çon para agjendën strategjike të partnerit rus në rajon, Serbinë nën udhëheqjen e Aleksandër Vuçiç”, ka vlerësuar Joseph.

Profesori amerikan në John Hopkins, i cili ka kohë që është kundërshtar i kësaj nisme rajonale, Open Balkan-in e sheh si mjet ekskluziv të hegjemonisë serbe.

“Media kryesore ruse në vend, Sputnik Serbia, ka mbështetur vazhdimisht Open Balkans, dhe pse jo?”, ka pyetur ai përmes një cicërime.

Piktura që Joseph e sheh të ofrohet përmes Open Balkan, reduktohet në një “botë serbe” përmes tregut me fqinj.

“Open Balkan është ftesë e hapur e Aleksandër Vuçiç për të eksploatuar madhësinë ekonomike të Serbisë për avantazh politik – të lirë nga shtrëngesat politike ose vlerave të Bashkimit Evropian. Open Balkan është e barabartë me ‘botën serbe’ përmes tregut me fqinjët më të vegjël”, ka shkruar ai.

Joseph mes tjerash konsideron se Shtetet e Bashkuara kanë qenë naive karshi çfarë ai supozon të jetë qëllimi real i presidentit serb.

“Duke besuar se Aleksandër Vuçiç dëshiron të anëtarësohet në BE, zyrtarët amerikanë kanë besuar në nocionin se Tregu është i barabartë me Besimin. Ajo çfarë llogaritet është karakteri i regjimit me të cilin tregtoni. Pyeteni Ukrainën: deri më 24 shkurt, Rusia ishte partneri tregtar më i madh i Kievit, për eksporte dhe importe”.

“Pyeteni Japoninë, Korenë e Jugut ose Taivanin nëse tregtia ua ka ndërtuar besim me Kinën”, ka shkruar mes tjerash profesori.

Një prospekt të ngjashëm e parasheh edhe në Ballkanin Perëndimor. Andaj, sipas tij, këto gjëra duhet parë përtej thjesht marrëdhënirve tregtare.

“I njëjti tregim është edhe në Ballkan. Serbia është partneri i parë tregtar i Malit të Zi, për importe dhe eksporte – dhe Beogradi është i fundit në terma të besimit. Përqafimi i Kryeministri i ri i Malit të Zi ndaj Open Balkan i ka përkeqësuar ndarjet në vend”, konsideroi ai.

Profesori amerikan, Edward P. Joseph konkludon se të gjithë shtetet e rajonit që ndjehen drejtpërsëdrejti të kërcënuar nga Serbia janë tejet dyshues ndaj Open Balkan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore