Euro 2020

Itali-Angli, një finale 12 miliardëshe


Dy superfuqi futbollistike do të ndeshen sot në Wembley të Londrës, në finalen – një vit me vonesë – të kampionatit Evropian, Euro 2020.

Por, ajo që bie në sy ndër të tjera, janë fitimet marramendëse që dy ligat kanë në aspektin monetar. Në tërësi, shifrat e gjeneruara nga dy ligat, arrijnë shifrat e 12 miliardë eurosh.

Në këtë natë, zbresin në fushë dy ekipe legjendare të futbollit evropian, por vetëm një titull kampion në Evropë, ai i Italisë në vitin 1968. Në një ndeshje të cilësuar si të ekuilibruar, ajo që nuk është e ekuilibruar, është dallimi në fitime midis ligave.

Në shifrat pre-pandemike, Premier Liga kapërceu fitime prej 5.8 miliardë eurosh, ndërkohë që Serie A-ja italiane, radhitej tek 2.5 miliardë eurot.

Në tërësi gjithsesi, duke përfshirë edhe liga të tjera, futbolli në Itali gjeneron rreth 5 miliardë euro. Prej tyre, 800 milionë janë prej transferimeve të futbollistëve.

Në Itali, të drejtat televizive janë ato që gjenerojnë më shumë të ardhura. Plot 1.4 miliardë euro fitohet prej tyre dhe në 1.3 miliardë janë fitimet prej sponsorëve.

Por, në Britaninë e Madhe, futbolli nxjerr më shumë fitime. Janë në tërësi 5.8 miliardë të përftuar nga Premier Liga gjatë sezonin 2018/2019. Këtyre, duhet t’i shtohen edhe 1.2 miliardët që gjenerohen nga Liga e Futbollit në Britani, ku përfshihen kampionatet “Championship”, “League One” dhe “League Two”.

Pra, një total mbi 7 miliardësh.

Në fakt, anglezët kanë edhe dhe një strategji rimëkëmbjeje, të quajtur “The FA Strategy 2020-2024”. Sipas këtij plani, pretendohet një rikthim ekonomik në nivelet pre-pandemike, për sa i përket të ardhurave që futbolli gjeneron.

Hapi i pari, do të ishte pikërisht fitimi i Euro 2020, duke i rritur kështu vlerën lojtarëve anglezë që luajnë për “Tre Luanët”.

Gjithsesi, vëmendja kryesore, mbetet në promovimin e futbollit tek të rinjtë. 210 milionë euro shkojnë në Britani për fëmijët. Në Itali, vetëm 30 milionë euro.

Vërshëllima e fillimit të ndeshjes është e vetmja gjë që pritet tashmë. Ndërsa kurora e fitimeve monetare është e britanikëve, kurora e kampionëve, ende mbetet për t’u mësuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore