Lajme

Lirohet në procedurë të rregullt personi që sulmoi policët dhe ushtarët e KFOR-it


Është liruar i dyshuari që kishte sulmuar me shishe xhami automjetet zyrtare të Policisë së Kosovës dhe Forcës së NATO-s (KFOR) në Leposaviq – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të hënën në orën 04:05 të mëngjesit.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

“Personi në fjalë është ndaluar derisa është këndellur, dhe pastaj është liruar në procedurë të rregullt. Është hapur rast për veprën penale ‘sulm ndaj personit zyrtar’ dhe është duke u hetuar në koordinim me Policinë e Kosovës”, tha Preteni.

Policia ka njoftuar të hënën se gjatë patrullimit të përbashkët me pjesëtarët amerikanë të KFOR-it në fshatin Miokovicë, një person ka bllokuar rrugën dhe ka hedhur shishe xhami në drejtim të veturave zyrtare.

Në komunikatën e organeve të rendit bëhet e ditur se personi i dyshuar është arrestuar, kurse vetura e tipit “Seat” është sekuestruar.

“Policia e Kosovës bashkë me KFOR-in kanë identifikuar shtëpinë dhe kanë kryer kontroll ku është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili ka pranuar se ka bllokuar rrugën dhe ka hedhur shishen”.

Ndërkaq gjatë realizimit të kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur një xhaketë e ushtrisë me emblemë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore