Sport

Ish-drejtoresha e Juventus-it me akuza ndaj Agnelli-t: Me çdo kusht donte t’i miratonte bilancet


Daniela Marilungo, e cila më parë ishte një anëtare e pavarur e bordit të drejtorëve të Juventus-it, dha një përshkrim të detajuar për hetuesit lidhur me “dramën” në Torino që po zhvillohet që nga nëntori i kaluar.

Bardhezinjtë janë në qendër të hetimit “Prisma”, të kryesuar nga Prokuroria Publike e Torinos, e cila ka akuzuar klubin për falsifikimin e fitimeve të tyre kapitale përmes rritjes së vlerave të transferimeve të lojtarëve dhe mashtrimit të tregut pasi ranë dakord të paguajnë fshehurazi pagat e lojtarëve në fillim të pandemisë COVID-19.

Të martën, Juventus-i paraqiti një apel në Collegio di Garanzia të CONI-t në përpjekje për ta anuluar vendimin e zbritjes së 15 pikëve që iu dha në muajin e kaluar.

Më 12 janar, Daniela Marilungo, foli me prokurorin, Mario Bendoni dhe ndihmësin e prokurorit Marco Gianoglio për rreth tetë orë (shkruan Gazzeta dello Sport), duke detajuar atë që ndodhi në ditët para dorëheqjes së bordit të drejtorëve dhe Agnelli-t.

Marilungo kishte qenë anëtare e pavarur e bordit që nga tetori 2015 përpara dorëheqjes së saj.

“Kam dhënë dorëheqjen me anë të një e-maili më 25 nëntor të vitit 2022. Pas takimit të fundit, intensiv dhe personalisht shumë stresues të bordit, pas një nate pa gjumë, u ndjeva në siklet”, tha Marilungo.

“Një ditë më parë, Andrea Agnelli dhe John Elkann na kishin informuar ne drejtorët e pavarur se Laurence Debroux dhe Suzanne Heyëood (drejtoresha jo të pavarura) kishin deklaruar vetë dorëheqjen e tyre sepse kishin frikë se do të përfundonin nën hetim”.

“Ky lajm shkaktoi dorëheqjen time dhe në mbrëmje para se të shkoja në darkë pata emocione dhe frikë. Më pas vijova të merrja e-mail thirrjesh dhe mu kërkua kontakti me avokatin tim, i cili më tha të mos e miratoja këtë bilanc, përndryshe do të kisha pasoja”, shtoi ajo.

“Presidenti, Andrea Agnelli, donte të miratonte me çdo kusht bilancin, përndryshe ekzistonte rreziku i mospërfshirjes në ligë apo do të dënoheshim me heqje pikësh. John Elkann kishte një qëndrim më të butë dhe më bashkëpunues, por Agnelli jo”.

“Fillimisht afati do të ishte në nëntor, më pas doli që mund të ishte deri në qershor 2023. Pra, shqetësimi ynë u shtua, na u tha vazhdimisht se si këto pasoja sportive mund të ndikojnë në vazhdimësinë e kompanisë”.

“Nga Juventus-i nuk i kam marrë asnjëherë letrat nga Prokuroria, por e kam ditur në fund të tetorit”, tha mes tjerash Daniela Marilungo.

Pra, skandali me Juvnetus-in mund të vazhdojë ende, derisa më herët mediat italiane theksuan se dënimi ndaj tyre mund të rritet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore