Sport

Inzaghi: Asllani do të jetë një vlerë e shtuar te ne


Interi zhvilloi ndeshjen e dytë miqësore për këtë verë, ku gjatë mbrëmjes të së martës fitoi ndaj Lugano-s me rezultat 1:4.

Një nga blerjet e fundit të Inter-it, Krisjan Asllani, luajti që nga fillimi për këtë takim, ku ishte në mesin e tre futbollistëve me minutazhë më të gjatën në këtë takim.

Ai madje bëri një asistim te goli i parë, të cilin e shënoi me kokë D’Ambrosio.

Pas ndeshjes foli trajneri i nënkampionëve të Italisë, Simone Inzaghi, i cili pati fjalë të mëdha për mesfushorin kuqezi.

“Ne e donim me çdo kusht Asllanin në ekip. Ai ka treguar personalitet të madh në ditët e para me ne, pavarësisht se është shumë i ri. Në atë pozicion të fushës luan Brozovic momentalisht, por Asllani është një vlerë e shtuar gjatë sezonit”, tha Inzaghi.

Më pas Inzaghi foli edhe për të gjithë ekipin, ku tha se ishte i kënaqur me paraqitjen në atë miqësore, pavarësisht se nuk ka shumë kohë që janë së bashku.

“Jam i kënaqur me atë që pashë në fushë. Kemi vetëm katër ditë së bashku, por zhvilluam një ndeshje të organizuar dhe serioze”, tha mes tjerash trasjneri italian.

Kujtojmë që Asllani iu bashkua Inter-it para pak ditësh nga skuadra e Empoli-t fillimisht për një huazim që zikaltrit do të paguajnë 4 milionë euro, pastaj nëse arrihen disa objektiva, Inter-i do të paguajë edhe 10 milionë euro të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore