Rajoni

Intensifikohen negociatat Maqedoni e Veriut-Bullgari


Është dakordësuar nisja shkëmbimit të propozimeve midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë mbi implementimin e Marrëveshjes së Miqësisë të vitit 2017.

Pritet që ministrat e jashtëm të dy vendeve t’i rikthehen akordit të arritur. Procesi i dialogut, pritet të zgjidhë mosmarrëveshjet midis dy vendeve.

Është vendosur gjithashtu në përfaqësues i veçantë maqedonas për të kontrolluar planin e veprimit dhe për të inkurajuar bashkëveprimin në të gjitha nivelet. Ai do të jetë ish-kryeministri maqedonas, Vlado Buckovski.

“Presim të marrim përgjigje mbi propozimet që kemi bërë në 2017-ën”, deklaroi Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. “Nuk mund t’i shohim fqinjët me sytë e të shkuarës. Zgjidhja e vetme është t’i rikthehemi marrëveshjes”, shtoi ai.

Sipas Osmanit, Maqedonia e Veriut është në një stad të ri aleancash me vendet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Po ashtu, edhe me fqinjësinë me Bullgarinë, Greqinë apo Shqipërinë. “Nuk mund ta shohim më botën me të njëjtin sy”, theksoi Osmani.

Rinisja e negociatave vjen pas mosmarrëveshjeve të mëdha midis dy shteteve. Vitin e kaluar, Bullgaria i vuri veton hapjes së negociatave me BE-në. Shkak u bënë konfliktet disa vjeçare mbi shtet formimin e dy vendeve.

Bullgaria ka pretenduar se kombi maqedonas nuk ekziston dhe se maqedonasit në të vërtetë janë bullgarë. Maqedonia e Veriut nga ana tjetër jep versionin e saj të historisë.

Mbi këtë çështje është ngritur edhe një komision i përbashkët, por ka rezultuar i pa suksesshëm./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore