Film

Individi apo njerëzimi – Dilema e madhe që ‘The Last of Us’ lë pas


Kur Joel dhe Ellie nisën rrugëtimin e tyre në serinë e parë të aventurës nën titullin “The Last of Us”, të gjithë e kuptuan se kishte një qëllim madhor të gjithë narrativës, e cila lidhej me mbijetesën e njerëzimit në një skenar post-apokaliptik të një pandemie fungale.

Dhe ky në fakt mbetet në thelb qëllimi i rrëfenjës magjepsëse, nëse në mes nuk do të futej aspekti më i prekshëm i humanëve: Ndjenjat!

Asgjë nuk është e rastësishme dhe gjithçka bën sens në gjithë nëntë seritë e një sezoni të parë, i cili ka thyer rekorde televizive, përfshi ato të serialeve të njohur si “Game of Thrones” apo “House of the Dragon”.

Që nuk do të ishin zombit e krijuar nga pandemia fungale yjet e The Last of Us, kjo qe kuptuar që në minutat e para të filmit.

Por, fakti se shija e vërtetë qëndron në një dilemë ekzistencialisht goditëse për të gjithë, ajo mes individit dhe njerëzimit, e bën edhe më mahnitës gjithë mbështjelljen që i bëhet sezonit të parë.

Nëse do të kishim një shans për të shpëtuar ekzistencën jetësore në tokë, do ta bënim këtë? Mbi të gjitha, kur “çelësi” i këtij shpëtimi, është një person i dashur dhe jo dikush rastësor?

Siç provohet në fakt shpesh herë, humbja e dikujt të afërt është më e rëndë se qindra, ndoshta edhe mijëra, humbje të tjera po aq njerëzore, por të pa lidhura me ne personalisht.

Dialogu, ku me fjalë e ku me heshtje, është ekuacioni fitues – ai i vërtetë – që e bëri The Last of Us të korrë suksesin marramendës.

Por, është po ashtu edhe ekuacioni sfidues, i cili i ndan dashamirësit e spektaklit në dysh, ku një pjesë radhiten në kahun e qëllimit madhor, ndërsa të tjerë të atij individual.

Koha nuk shëron asgjë, janë njerëzit dhe ata në jetën e secilit që e bëjnë.

Kështu është edhe The Last of Us.

Ndarjen e vërtetë nuk e bën spektakli, zgjedhjet e narrativës së të cilit, janë të hapura për diskutim.

Parimi dhe esenca, mbetet tek njerëzit dhe njerëzimi.

Rrugën në sezonin e dytë, se si Ellie dhe Joel do ta zhvillojnë, mbetet për t’u parë, nëse arkitektët e sjelljes së videolojës në ekranin e vogël do t’i qëndrojnë besnik levës së kontrollit, apo mendjes së tyre për ta thyer disi mekanizmin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore