Lajme

Imazhet satelitore nxjerrin “blof” pretendimet ruse, trupat e shtrirë në Bucha për javë të tëra


Një analizë, bazuar tek imazhet satelitore nga “The New York Times”, hedh poshtë pretendimet e Rusisë se vrasja e civilëve në Bucha – periferi e Kievit – ndodhi pasi ushtarët e saj ishin larguar nga qyteti.

Kur imazhet u shfaqën gjatë fundjavës të trupave të civilëve të vdekur të shtrirë në rrugët e Bucha-s – disa me duar të lidhura, disa me plagë nga armë zjarri në kokë – Ministria e Mbrojtjes e Rusisë mohoi përgjegjësinë.

Në një postim në median sociale “Telegram” të dielën, Ministria pretendoi se trupat ishin vendosur së fundmi në rrugë, pasi “të gjitha njësitë ruse u tërhoqën plotësisht nga Bucha” rreth 30 marsit.

Rusia pretendoi se imazhet ishin “një tjetër mashtrim” dhe bëri thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për atë që i quajti “provokime të radikalëve ukrainas” në Bucha.

Por një rishikim i videove dhe imazheve satelitore nga “The Times” tregon se shumë nga civilët u vranë më shumë se tri javë më parë, kur ushtria ruse kishte kontrollin e qytetit.

Në një video të filmuar nga një anëtar i këshillit lokal më 1 prill shfaqen trupa të shumtë të shpërndarë përgjatë rrugës Yablonska në Bucha.

Imazhet satelitore të ofruara për “The Times” nga “Maxar Technologies” tregojnë se të paktën 11 prej tyre kishin qenë në rrugë që nga 11 marsi, kur Rusia, sipas llogarisë së saj, pushtoi qytetin.

Për të konfirmuar se kur u shfaqën trupat dhe kur civilët u vranë, ekipi i Hetimeve Vizuale në “The Times” kreu një analizë para dhe pas të imazheve satelitore. Imazhet tregojnë objekte të errëta të përmasave të ngjashme me një trup njeriu që shfaqen në rrugën Yablonska midis 9 dhe 11 marsit.

Objektet shfaqen në pozicionet e sakta, në të cilat u gjetën trupat pasi forcat ukrainase rimorën Bucha-n – siç tregojnë pamjet nga 1 prilli. Analiza e mëtejshme tregon se objektet qëndruan në ato pozicione për më shumë se tri javë.

Ku u gjetën trupat?

Shkaqet e vdekjes janë të paqarta. Disa nga trupat ishin pranë asaj që duket të jetë një krater përplasjeje. Të tjerët ishin pranë makinave të braktisura. Tre nga trupat ishin shtrirë pranë biçikletave. Disa i kanë duart të lidhura pas shpine me leckë të bardhë. Trupat u shpërndanë në më shumë se gjysmë milje të rrugës “Yablonska”.

Një video e dytë, e marrë në rrugën “Yablonska” tregon tre trupa të tjerë. Njëra shtrihet pranë një biçiklete, tjetra pranë një makine të braktisur. Imazhet satelitore tregojnë se makinat e braktisura dhe trupi aty pranë shfaqen midis 20 dhe 21 marsit.

Këto janë vetëm disa nga trupat e civilëve të zbuluar që nga e shtuna.

“Associated Press” publikoi imazhe të paktën të gjashtë burrave të vdekur të shtrirë së bashku në pjesën e pasme të një ndërtese zyre, disa me duar të lidhura pas shpine. Ndërtesa është një milje në perëndim të viktimave të tjera të gjetura përgjatë rrugës “Yablonska”.

Një milje tjetër më tutje, një fotograf i “The Times” zbuloi trupin e një burri me një plagë me armë zjarri në kokë, i shtrirë pranë një biçiklete.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore