Lajme

“Hungaria nuk ka më vend në BE”


“Hungaria nuk ka më vend në Bashkimin Evropian, pasi kaloi ligjin e kundërshtuar për të hequr përmbajtjet e edukimit mbi komunitetin LGBTQ”.

Mark Rutte, Kryeministri i Holandës, ka pikërisht këtë qëndrim mbi problemin e ngritur prej ditësh tashmë, ku pala hungareze akuzohet deri edhe për “homofobi” mbi këtë ngjarje.

Më herët këtë muaj, Parlamente i Hungarisë kaloi legjislacionin për përjashtimin e përmbajtjeve mbi komunitetin gay, nga programet dhe librat shkollorë.

Kjo lëvizje ka sjellë zemërim të madh dhe kritika nga organizatat e mbrojtjes së të drejtave njerëzore. Mijëra protestues janë ngritur në Hungari në protesta të mëdha kundër ligjit.

Një Samit po zhvillohet midis vendeve të BE-së në Bruksel më 24-25 qershor dhe ndër problemet e diskutuara, është edhe ky i Hungarisë.

“Për mua, thjesht nuk kanë më vend në BE”, i tha Rutte gazetarëve, duke iu referuar Hungarisë. “Por, fatkeqësisht, në sistemin që kemi ngritur, nuk mund ta bëj vetëm këtë gjë”.

Gjithsesi, nuk përjashtohet nga Rutte mundësia e ngritjes së një blloku unanim për largimin e Hungarisë. “Kjo duhet të ndodhë hap pas hap. Ndërkohë që ndodh, shpresa është që hungarezët të reflektojnë”.

Nga ana tjetër, kryeministri hungarez Viktor Orban, ka qartësuar versionin e tij mbi çështjen.

“Nuk është një ligj kundër homoseksualëve. Është për prindërit dhe fëmijët”.

Ndër të tjera, Orban shtoi se ai është një luftëtar për të drejtat e njeriut dhe e ka mbrojtur këtë komunitet gjatë kohës së komunizmit.

“Homoseksualiteti ndëshkohej dhe unë isha atje për të luftuar për ta. Kështu që, unë jam me ta, por edhe prindërit dhe fëmijët kanë të drejtat e tyre”.

Nga 27 vendet e unionit, 14 prej tyre kanë shprehur shqetësime të mëdha për situatën. Ndodhinë e ka dënuar edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore