Lajme

Xhaferoviç në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: Jemi të shqetësuar nga armatosja e Serbisë


Kryetari i presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Sefik Xhaferoviç

Kryetari i presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Sefik Xhaferoviç, gjatë fjalimit të tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka thënë se BeH është aktualisht në periudhën e një prej krizave më të mëdha që nga fundi i luftës.

“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për armatimin e përshpejtuar të vendeve fqinje, në radhë të parë të Serbisë, entiteti i Republikës Srpska në strategjinë e saj të mbrojtjes kombëtare ka treguar mungesë respekti shqetësuese për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës”, tha Xhaferoviç.

“Ne jemi gjithashtu të shqetësuar për mbrojtjen që Serbia u ofron kriminelëve të dënuar të luftës, si Novak Djukiç, dhe të dyshuarve të shumtë për gjenocidin në Srebrenicë, të cilët kërkohen nga gjyqësori i BeH”.

Xhaferoviç theksoi se në 10 muajt e fundit në BeH është duke u zhvilluar një proces që synon të rrëzojë të gjithë përparimin që është bërë deri më tani.
Sipas tij, në BeH janë bërë reforma të mëdha që nga përfundimi i luftës me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.

Ai përkujtoi se Kushtetuta e BeH-së, më saktësisht neni 3, parasheh mundësinë që BeH të krijojë institucione dhe të marrë kompetencat që i nevojiten për të ruajtur dhe forcuar sovranitetin, integritetin territorial, pavarësinë politike dhe subjektivitetin ndërkombëtar.

“Duke zbatuar këtë dispozitë të Kushtetutës dhe të Marrëveshjes së Dejtonit, ne kemi formuar një ushtri të unifikuar, shërbimin e inteligjencës, ministritë, sistemin tatimor shtetëror, gjyqësorin dhe institucionet e tjera, të cilat forcuan paqen dhe falë të cilave shteti u bë i aftë të funksionojë në mënyrë të pavarur”, tha Xhaferoviç.

“Qytetarët nga të gjitha pjesët e Bosnje dhe Hercegovinës, duke përfshirë të dy entitetet dhe Distriktin e Brckos, kanë përfituar nga këto reforma”.
Xhaferoviç shtoi se këto reforma janë bërë me pëlqimin e përfaqësuesve politikë nga të dy subjektet dhe nga të gjitha kombet, dhe vendimet janë marrë në Asamblenë Parlamentare të BeH-së, në përputhje me procedurat e përcaktuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore