Lajme

Vrasja e trefishtë në Deçan – Këtë të diele bëhet varrimi, autori i krimit në arrati


Gani Gjokaj, shoferi i autobusit dhe maturantët Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj

Këtë të diele të 28 nëntorit, do të bëhet varrimi i tre personave që humbën jetën më 26 nëntor derisa një tjetër mbeti i plagosur nga sulmi me armë zjarri që i është bërë një autobusi me nxënës në Kosovë, në fshatin Gllogjan të Deçanit.

“Varrimi i dy viktimave të sulmit makabër, që ndodhi mbrëmë në Gllogjan, bëhet nesër, ditë e Diel, datë 28.11.2021, në ora 14:00, në varrezat e fshatit Gllogjan. Ngushëllime për familjarët. Ndajmë dhimbjen së bashku”, thuhet në njoftim e bërë nga komuna e Deçanit.Të vrarë nga ky sulm kanë mbetur shoferi i autobusit dhe dy nxënës nga tetë sa ishin gjithsej në autobus në momentin e sulmit.

Sulmi ndaj autobusit kishte ndodhur rreth orës 19:00 nga një person i maskuar i cili kishte nxënë pritën autobusit, duke i dalë përballë dhe shtënë me breshëri në drejtim të tij.

Zeqë Malaj nga Gllogjani ishte duke ecur me miqtë e tij, kur kishte dëgjuar disa zhurma.

Pak momente më vonë ai do të bëhej dëshmitar i sulmit tragjik në Gllogjan të Deçanit, ku u sulmua autobusi dhe mbetën të vrarë tre person – shoferi dhe dy nxënës.

Një prej tyre, siç tregon Malaj për Albanian Post, vdiq në prehrin e tij, pasi ishte ai që e kishte nxjerrë nga autobusi dhe më pas po e dërgonte me urgjencë në spital.

Raporti i policisë tregoi se dyshimet e para janë se sulmuesi që lëshoi breshëri plumbash, aktin e kreu me një armë të tipit AK-47, apo siç njihet ndryshe si kallashnikov.

Të dhënat e para nga policia ishin se “i dyshuari gjendet në arrati”, kurse “rasti vazhdon në procedurë hetimore”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti të shtunën mbajtën konferencë për media për informacionet që deri tash kishin arritur të mblidhnin.

“Tashmë kemi informacione të ndryshme të ardhura në rrugë të ndryshme që policia nën direktivat e prokurorisë është duke i trajtuar një për një. Janë duke u trajtuar disa pista që policia po i heton”, ka thënë Sveçla në konferencë për media.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i PK-së, Samedin Mehmeti, bëri të ditur se në hetime është më shumë se një pistë.

“Aktualisht ne mund të flasim për diku dy përkatësisht tri pista dhe të gjitha informacionet jemi duke i mbledhur, aktualisht po bisedojmë për një person por me mundësi të ndërlidhjes edhe me persona të tjerë që do të thotë se mund të ketë edhe më shumë persona”, deklaroi Mehmeti.

Drejtori i përgjithshëm i PK-së, Samedin Mehmeti

Ai shtoi se “më lejoni të ju informoj se aktualisht jemi duke u përballur me një numër të madh të informacioneve dhe kemi sjell ekipe shtese të niveleve të ndryshme operative dhe hetimore që të hetojnë provat të cilat i kemi gjetur në vendin e ngjarjes”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore