Kosova

Hoxhaj: BE me raporte e pa liberalizim të vizave për Kosovën po e fsheh realitetin në Serbi


Ish-ministri i Punve të Jashtme, Enver Hoxhaj

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj Bashkimit Evropian (BE) lidhur me raportin vjetor për Kosovën të hartuar nga ana e Këshillit Evropian (KE) si dhe për mungesën e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Me anë të raporteve dhe me mungesë të liberalizimit të vizave për Kosovën, BE po fsheh realitetin e gjendjes së çështjeve të Serbisë. Kjo sipas tij, po e humb besueshmërinë dhe pozitën e saj vet BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Hoxhaj këtë kritikë për BE-në e ka bërë nëpërmjet llogarisë së tij në Twitter.

“BE-ja me mungesën e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe me raporte që fshehin realitetin e gjendjes së çështjeve të Serbisë, po humbet besueshmërinë dhe pozitën e saj në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Hoxhaj.

Ndërsa, në raportin e progresit të Komisionit Evropian (KE) i cili iu dorëzua të martën Kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani nga ana e shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, thuhet se gjatë kohë së hartimit të raportit, Kosova është ende në fazat fillestare të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, dhe qëndron dobët sa i përket përgatitjes së një sistemi të Vetting-ut.

“Kosova është ende në një fazë të hershme në zhvillimin e një sistemi gjyqësor funksional. Administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadalshëm, jo-efikas, dhe i prekshëm nga ndikimet politike. Pak progres është bërë gjatë periudhës së hartimit të raportit”, shkruan në raportin e KE-së.

Ndërsa KE të martën e 19 tetorit ka miratuar Paketën e tij të Zgjerimit për vitin 2021, duke siguruar një vlerësim të detajuar të gjendjes dhe përparimit të bërë nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia drejt Bashkimit Evropian (BE).

Komisioni në vlerësimin e tij ka konstatuar se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave, por propozimi është ende në pritje në KE.

Në raport shkruhet se kjo duhet trajtuar si një çështje urgjente.

Gjithashtu, aty theksohet se administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadalshëm, joefikas dhe i prekshëm nga ndikimi i parregullt politik.

Kryeministri Kurti me të pranuar raportin nga shefi i BE-së Kosovë, Szunyog në një konferencë të përbashkët me të ka thënë se Kosova ka shënuar progres, sidomos në 6 mujorin e qeverisjes së tij, duke njehur i të arritura funksionalizimin e Kuvendit, zgjedhjen e presidentes si një të arritur të lartë dhe funksionalizimin e shpejtë të Qeverisë.

Ndërsa, Presidentja Osmani ka deklaruar se prioritet i Kosovës është anëtarësimi në BE.

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e pesë shteteve anëtare të BE-ë të cilat nuk e kanë njohur deri më tani, sipas saj është vendim i drejtë por dhe si “shtysë për realizimin e reformave të brendshme dhe do t’i kontribuoj paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka thënë ajo.

 

Presidentja Osmani gjatë pranimit të raportit për Komisionit Evropian për Kosovën nga ambasadori Szunyog

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore