Lajme

Kurti: Raporti i KE-së tregon se për këta gjashtë muaj qeverisje kemi shënuar progres


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë për Raportin e Progresit se përfshinë periudhën një vjeçare, ndërkaq në gjashtë muajt që ai është në Qeveri ka pasur progres.

“Sot kemi pranuar raportin për vendin, i njohur si Raporti i Progresit, ky është raporti i parë për neve si qeveri, i cili mat periudhën një vjeçare nga tetori i vitit 2020 deri në tetor 2021, duke qenë se është një raport vjetor, ai mat progresin e marrë së bashku në dy gjashtë mujorët, para qeverisjes sonë dhe gjatë qeverisjes sonë, e të cilat dallojnë si dita me natën”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se, “Unë dua të flas për pjesën e dytë të raportit pra për 6 muaj e qeverisjes sonë, që shënuan shumë progres”.

Ndërsa, për zgjedhjet lokale, është shprehur se kanë qenë të organizuara ashtu siç ishin të planifikuara.

“Ne fundjavën që lamë pas ne mbajtëm zgjedhjet lokale, sikurse më 14 shkurt edhe më 17 tetor, Kosova dëshmoi organizim të mirë dhe garë demokratike. Vetëm 37 ditë pas zgjedhjeve të 14 shkurti, zgjodhëm kryetarin e Kuvendit dhe presidenten, që ishte koha më e shpejtë e formimit të qeverisë”.

Po ashtu, kryeministri tha se deri tani kanë marrë 320 vendime në mbledhjen e Qeverisë.

Por, që theksoi se kanë shkatërruar edhe disa banda kriminale, e po ashtu në shëndetësi kanë arritur të vaksinojnë një numër të madh të qytetarëve

“E kemi dëshmuar se jemi në rrugën e drejtë”, tha kryeministri Kurti.

Ndërsa, në pyetjen se do të ketë takim me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, Kurti ka thënë se, “nuk besoj që do ketë takim shumë shpejt që do thotë se jo në muajin tetor ndërmjet meje dhe presidentit të Serbisë në Bruksel nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, presidentit të Komisionit Evropian Josep Borrell”.

Edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka marrë pjesë në konferencë për media ai ka thënë se Kosova duhet të arrijë rezultate të prekshme në fushën e sundimit të ligjit, në luftën kundër korrupsionit, reforma në administratë e tjera.

“Përparim i limitur është parë në sistemin gjyqësor. Sfidë mbeten reformat administrave, të cilat janë të cenueshme nga ndikimet politike”, ka thënë Szunyog.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Ndërsa, theksoi se duhet zbatuar gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura në Bruksel, përfshirë edhe ajo për formimin e Asociacionit.

“Si BE dhe kjo është edhe në Raport, duhet zbatuar gjitha marrëveshjet e kaluara dhe kjo përfshinë edhe marrëveshjen e vitit 2013 për Asociacionin”.

“Dua t’ua rikujtojë të gjithëve që marrëveshje është dakorduar, jo vetëm nga BE-ja, por edhe nga Kuvendi i Kosovës dhe duhet zbatuar. I takon Prishtinës që të sugjerojë se si. Është një ligj i cili është i pranishëm dhe ligji duhet të zbatohet, por i takon palës kosovare se si saktësisht dhe çfarë forme do të marrë kjo. Nëse jo mendoj se duhet të ngrihet në BE dhe të diskutohet”.

Komisioni Evropian, të martën prezantoi Raportet e Progresit për vendet e zgjerimit.

Bashkimi Evropian – Kosova

Në paketën e zgjerimit, që përfshin edhe raportet vjetore të progresit për vendet në këtë proces, ku përfshihet edhe Kosova është gjetur një përparim i kufizuar në shumicën e proceseve.

Sipas këtij raporti, vendi ynë sa i përket dialogut me Serbinë thuhet se, “Kosova në përgjithësi, ka vazhduar të jetë e përkushtuar në dialog”.

Por, sipas këtij raporti “qeveria e Kosovës duhet të respektojë angazhimet e saj të mëparshme dhe të angazhohet për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të kaluara të dialogut”.

Në raportin e progresit të Komisionit Evropian, po ashtu thuhet se gjatë kohë së hartimit të raportit, Kosova është ende në fazat fillestare të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, dhe qëndron dobët sa i përket përgatitjes së një sistemi të Vetting-ut.

“Kosova është ende në një fazë të hershme në zhvillimin e një sistemi gjyqësor funksional. Administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadalshëm, jo-efikas, dhe i prekshëm nga ndikimet politike. Pak progres është bërë gjatë periudhës së hartimit të raportit”, shkruan në raportin e KE-së.

Ndërsa për luftën kundër korrupsionit, në raport shkruan se vetëm një progres i pakët e i kufizuar ka ndodhur gjatë kohës së hartimit të raportit.

Korrupsioni është i shpërndarë anembanë, shkruan raporti, dhe se mbetet ende shkak për shqetësime serioze.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore