Lajme

Hetemi tregon për bisedën me Kurtin sa ishte “i ngujuar”: Mos lëshoni pe ju atje, unë jam i vendosur


Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi

Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, i cili ka qëndruar shtatë muaj i mbyllur në zyrën e tij, ka thënë se gjatë qëndrimit brenda, ka biseduar shpesh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, derisa thotë se njërën nga to e ka në memorie ende.

“Është interesant një bisedë mes meje dhe kryeministrit, ai më pyeti se a jam mërzitur, unë i thashë mos u shqetëso për mua, unë jam i vendosur. Edhe i thashë të lutem kryeministër ju atje mos lëshoni pe, kjo ka qenë biseda më interesante që kam pas me Kurtin”, tha Hetemi gjatë një interviste për Tëvë 1.

“Me Kurtin komunikojë vazhdimisht dhe çdo herë kemi biseduar për të ardhmen, tash flasim si t’i vazhdojmë punimet për t’i dalë në ndihmë qytetarëve”, shtoi i pari i Leposaviqit.

Ai ka potencuar se nuk kishte pranuar që të largohen nga zyra përkundër insistimit të ushtarëve të KFOR-it.

“Unë ju kam treguar edhe ushtarëve amerikanë që unë nuk largohem nga këtu deri sa të bëhet mirë edhe ashtu ndodhi”, potencoi ai.

Hetemi i cili u zgjodh kryetar i komunës me vetëm 100 vota, thotë se ka qenë shumë i lumtur kur e ka vendosur flamurin e Kosovës në objektin e komunës që e drejton.

“Kur kam hyrë brenda kam qenë personi më i gëzuar, sidomos kur e kam qitë edhe flamurin, ka qenë kënaqësi që nuk do ta harrojë kurrë në jetën time”, ka shpjeguar kreu i Leposaviqit.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe njëherit kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë gjatë vitit të kaluar, pati treguar se ka biseduar në telefon me kryetarin Hetemi.

“E thirra kryetarin Lulzim Hetemin për të biseduar dhe isha i brengosur që mos është mërzitur në zyrë, ai ishte i brengosur mos isha i mërzitur unë. Unë i shqetësuar mos po lëshon pe ai, kryetari i shqetësuar mos po lëshoj pe unë, biseda ishte shumë e këndshme”, theksoi Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore