Lajme

Haradinaj: Shqetësuese sulmet që u janë bërë gazetarëve dhe mediave nga pushtetit aktual


Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka deklaruar se është i shqetësuar për sulmet që po u bëhen gazetarëve nga pushteti aktual.

Sipas tij, një shoqëri është e lirë po aq sa i ka mediat e lira.

“Janë tejet shqetësuese sulmet që u janë bërë gazetarëve e mediave, nga eksponentë të ndryshëm të pushtetit aktual. Liria e mediave duhet të jetë e pacenueshme. Ky është obligim, jo vetëm kushtetues e ligjor, por edhe moral! Sot në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, të bashkohemi në mbrojtje të këtyre vlerave të panegociueshme të demokracisë”, ka shkruar Haradinaj.

Kreu i AAK-së, ka shtuar se shkalla e demokracisë matet me nivelin e lirisë së fjalës, lirisë së mendimit e të medias.

Ndryshe, liria e medias në Kosovë konsiderohet më pozitive sesa vitet e kaluara por megjithatë ky shtet vazhdon të mbetet në listën e vendeve me “situatë problematike”.

Organizata Reporterët pa Kufij së fundi kanë publikuar indeksin e Lirisë së Shtypit Botëror, ku Kosova shihet të ketë shënuar përparim në këtë drejtim.

Këtë vit, Kosova radhitet në vendin e 61-të, ose 18 vende më lart sesa vitin e kaluar, ku ishte e radhitur në pozitën e 87-të.

Trendi i rritjes vjen pas rënies që ka shënuar vitin e kaluar – për tetë pozita – në krahasim me renditjen e vitit 2020.

Por, edhe përkundër përparimit, Kosova vazhdon të mbetet në mesin e vendeve me “situatë problematike”, siç e vlerësojnë Reporterët pa Kufij.

Prej tyre, ngjashëm si Kosova, përparim kanë shënuar: Maqedonia e Veriut në pozitën e 57-të nga 90, Serbia në pozitën 79 nga 93 dhe Mali i Zi në pozitën 63 nga 104.

Shqipëria ka pësuar përkeqësim – nga pozita 83 ku ka qenë vitin e kaluar, në pozitën 103.

Ngjashëm edhe Bosnje e Hercegovina: vitin e kaluar ka qenë në pozitën 58, sivjet në 67.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore