Lajme

Haradinaj: Letra e krerëve të shtetit për Bakoyannis s’është formalitet, përfshin një gamë të gjerë zotimesh


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, duke komentuar letrën që kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, i kanë dërguar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, ku janë zotuar për respektim të të gjitha neneve të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars), përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ka thënë se e njëjta nuk është vetëm formalitet, pasi që përfshin një gamë të gjerë zotimesh.

“E kuptueshme që letra e tre krerëve shtetëror dërguar raportueses së KiE, Dora Bakojanis, mund të jetë standard para aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por kurrsesi nuk mund të cilësohet formalitet, siç e quan pushteti, sepse gama e zotimeve në atë letër është shumë e gjerë dhe përfshinë obligime konkrete”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Ata zotohen se do të zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit, duke përfshirë edhe Asociacionin. Në këtë situatë, sipas Haradinajt, pyetja është, “pse kanë pasur nevojë që deri me tash ta zhagisin zbatimin e kësaj marrëveshjeje e të thonë herë e zbatojmë herë nuk e zbatojmë”.

“P.sh. thuhet se liderët institucionalë zotohen se ‘do të respektohet pavarësia e gjyqësorit dhe do të hiqet dorë nga “kritikat e tepruara ndaj gjyqësorit’. Kjo d.m.th se këta zotohen të heqin dorë nga diçka që e kanë aplikuar deri me tash”.

“Aty thuhet ‘Të përmbahemi nga përdorimi i policisë speciale në Veri të Kosovës për detyra të zakonshme policore e të sigurohemi se ato dislokohen vetëm në rast nevoje’, që i bie se deri me tash nuk e kanë zbatuar këtë standard që aq shpesh është kërkuar nga aleatët tanë”, shtoi.

Ish-kryeministri përmend edhe zotimin për shpronësimet në Veri, për mbrojtjen e pronave të Kishave Ortodokse Serbe, për integrimin e pakicave, për gjuhët e tyre, shkollimin tekstet, e të tjera.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është ngjarje e madhe dhe hap i rëndësishëm drejt integrimit në BE dhe ndoshta letra e zotimeve drejtuar Bakojanis përfshihet në këtë kuadër, por është e habitshme se si liderët institucionalë të Kosovës, deri me tash kanë shpërfillur kërkesat e njëjta nga nivele shumë të larta të ShBA dhe BE, dhe pikërisht për këtë sot jemi edhe nën sanksione, edhe në marrëdhënie shumë të acaruara me ShBA e BE, edhe të detyruar t’i përsërisim zgjedhjet në Veri, edhe të merremi me dinarin, edhe në pozitën më të keqe të mundshme në procesin e dialogut me Serbinë”, shtoi.

Raporti për KiE: Asambleja do themelim të Asociacionit, para anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore