Kosova

Halimi: Skandalet e politikës së jashtme, rezultat i një politike të brendshme populiste


Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka thënë se karakteristikë esenciale kur “populistët qeverisin është qasja ndaj krizave”.

Ajo ka shtuar se shkarkimet e dorëheqjet pas shpërfaqjes së të vërtetave janë të domosdoshme.

“Andaj, të gjitha skandalet e një pas njëshme në politikën e jashtme dhe jo vetëm, janë rezultat i një politike të brendshme populiste, ku individi vihet mbi shtetin, e shteti në shërbimin e një iluzioni”, ka shkruar Halimi në Facebook.

Halimi konsideron se ky do të duhet të ishte shteti i qytetarëve, i sundimit të ligjit e gjithçka tjetër është mashtrim.

“Krizat asnjëherë nuk trajtohen si gjendje objektive, por interpretohen sipas tekeve të tyre, nëpërmjet krijimit të krizave simuluese e duke iu referuar situatave simbolike”.

Prandaj sipas saj, “në vend të ofrohet zgjidhje afatgjate dhe të trajtuara profesionalisht, popullistët krijojnë prodhime estetike false duke pretenduar se janë të vetmit, legjitim që përfaqësojnë interesat e “popullit”.

“Partia në pushtet kur gjendet në një presion, zgjedh të performoj, por gjithmonë duke u prezantuar në mënyrë spektakolare, por me veprime tejet simbolike në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve”, ka përfunduar ajo.

Ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të domosdoshme formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike në vend dhe i ka ftuar të gjithë deputetët pa dallime partiake, që të mbështesin këtë iniciativë.

Sipas PDK-së, ky komision ka për qëllim kryesor transparencën e plotë para qytetarëve të Kosovës, rreth shpenzimit të mbi 100 milionë eurove nga qeveria aktuale, për blerje të energjisë elektrike gjatë krizës dhe shtrenjtimin e saj për qytetarët e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore