Lajme

Halimi: Pushteti do të marrë meritat për liberalizim, por s’merret me emigrimin


Sibel Halimi

Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, ka thënë se partia në pushtet, pra Lëvizja Vetëvendosje, është duke shpenzuar energji për të marrë merita për liberalizimin e vizave, por se nuk po bëjnë strategji për parandalimin e emigrimit.

Këto komente, Halimi i bëri pasi publikimit të raportit nga Instituti GAP “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: Ndikimi në fuqinë punëtore”, ka rezultuar se nga 1 mijë qytetarë të anketuar, 28 për qind e tyre planifikojnë të emigrojnë në Zonën Schengen.

“Derisa partia në pushtet gjithë energjinë janë duke e shpenzuar për të marrë meritat për liberalizimin e vizave, asnjë strategji e planifikim, për të rritë vëmendjen tek parandalimi i emigrimit. Të analizohen sektorët dhe faktorët shtytës se ku dhe pse po ikin qytetarët. Një qeveri që tejkalon propagandën do të duhet të merret me një çështje me rëndësi si emigrimi”, ka shkruar Halimi në Facebok.

“Trendi i qytetarëve të Kosovës për t’u larguar pritet të rritet”, theksoi ajo, “ndaj si e tillë kërkon vëmendje në nivel të planifikimit të politikave”.

Sipas studimit të Institutit GAP, arsyeja e kryesore për marrjen e vendimit për ta lënë Kosovën, janë mundësitë më të mira për punësim, derisa destinacionet kryesore janë Gjermania me 71.4 për qind, Zvicra 11.7 për qind dhe Austria 5.3 për qind.

“Ky pushtet nuk merret me të sotmen e problemet e qytetarëve; e kaluara vazhdon të mbetet kauza e tyre e vetme dhe mirëmbajtja e varfërisë me shtesa kur pushteti i tyre rrezikohet!”. përfundoi zyrtarja e LDK-së.

Në prezantimin e Raportit të Institutit GAP “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: Ndikimi në fuqinë punëtore”, ka rezultuar se nga 1 mijë qytetarë të anketuar, 28 për qind e tyre planifikojnë të emigrojnë në Zonën Schengen, kjo pas liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian.

Në këtë raport bëhet me dije se nga vitit 2012 deri në vitin 2022, nga Kosova kanë migruar 338 mijë qytetarë, apo thënë ndryshe 18.8 për qind e popullsisë së Kosovës.

Gjithmonë sipas këtij raporti të publikuar këtë të shtune, arsyet kryesore që i përmendin qytetarët që planifikojnë migrimin janë kushtet ekonomike, ndërsa sektorët që do të preken më shumë janë ndërtimtaria, hoteleria dhe gastronomia.

Liberalizimi i vizave, GAP: 28% e popullsisë planifikojnë të emigrojnë gjatë periudhës së parë të këtij viti

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore