Lajme

Hakohet llogaria e ish-presidentit Thaçi në Facebook


Hashim Thaçi

Faqja zyrtare në rrjetin social Facebook e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është hakuar vetëm një ditë para se të nisë gjykimi ndaj tij në Hagë të Holandës.

Ish-këshilltari i Thaçit, Adil Behramaj, ka thënë se kësaj llogarie i është ndryshuar emri, fotoja dhe karakteri, ndërsa ka njoftuar se rasti është raportuar te organet e rendit.

“Po, faqja zyrtare e presidentit Thaçi, e cila ka qenë pasive që nga dita e dorëheqjes së tij, më 5 nëntor 2020, është hakuar. Asaj i është ndryshuar emri, fotoja dhe karakteri. Rastin tashmë e kemi adresuar zyrtarisht në Policinë e Kosovës”, tha ai.

Më 3 prill do të nisë gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat thuhet se janë kryer kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999. Ata janë deklaruar të pafajshëm për këto akuza.

Mijëra qytetarë nga të gjitha viset shqipare kanë marrë rrugë drejt Prishtinës për t’iu bashkuar “Marshit për Drejtësi” në përkrahje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët do ta nisin betejën me drejtësinë më 3 prill në Hagë.

Pamja e ekranit/Llogaria e Thaçit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore