Lajme

Hagë: Nga 20 deri më 28 shtator paraqiten dy dëshmitarë kundër Mustafës


Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa

Gjyqtarja, Mapi Feld Folia, e Dhomave të Specializuara ka treguar se në seancat e radhës në procesin gjyqësor kundër të akuzuarit Sali Mustafa do të dëgjohen dëshmitë e dy dëshmitarëve të parë.

“Nga 20 deri më 28 shtator do të paraqiten dy dëshmitarët e parë. Me këtë rast do të doja të njoftoja palët se pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve, paneli mund t’ia bëjë disa pyetje Mustafës (të akuzuarit)”, ka deklaruar gjyqtarja Folia.

Ajo tutje ka deklaruar se “Mustafa natyrisht që do ta ketë të drejtën që të qëndrojë i heshtur”.

Hagë: Gjykatësja urdhëron ri-sjelljen Mustafës në sallë

Pas një pauze të shkurtër, gjykata urdhëron sigurimin që ta ri sjellin të akuzuarin Mustafa në sallë pasi që ky i fundit nuk është kthyer në pjesën e dytë të seancës së parë gjyqësore ndaj tij.

“Trupi gjykues është i mendimit se prania e të akuzuarit është e nevojshme, edhe pse jo e nevojshme në këtë rast, megjithatë ky refuzim për tu paraqitur, dhe zoti Bone kjo lidhet vetëm me pjesën e mbetur të seancës së sotme. Gjykata e mban të drejtën e vet diskrecionale në të ardhmen që të detyrojë të akuzuarn të jetë i pranishëm edhe kur ai heq dorë nga kjo e drejtë”, ka thënë ajo.

Gjykatësja tutje tha se Mustafa nuk do të lejohet të përdorë të njëjtin fjalor siç ka bërë në paraqitjen e tij në pjesën e parë të kësaj seance derisa është deklaruar i pafajshëm.

“Duhet ta informoni klientin tuaj që nuk do ta lejojmë z.Mustafa në seancat në të ardhmen që të përdorë gjuhë pa kurrfarë respekti në lidhje me palët apo pjesëmarrësit e tjerë siç ishte gjuha që përdori klienti i juaj kur ju referua Zyrës së Prokurorit Special”, ka shtuar gjykatësja.

Gjykatësja, Mapi Feld Folia

Për këtë pas disa sqarimeve si nga mbrojtja ashtu edhe nga prokuroria, është ndërprerë seanca nga gjyqtarja që po e drejton atë.

Prokuroria konsideron se prania e tij fizike është e dëshirueshme mirëpo, për këtë vendos gjykatësi.

Mos prania e të akuzuarit gjatë gjykimit sipas prokurorisë nuk duhet të bëhet precedent edhe në gjykimet e tjera.

Mbrojtja ka thënë se për këtë ka një praktikë të deritanishme se i akuzuari mund të qëndroj apo jo në seancë, “madje për këtë ai ka një përfaqësues këtu”, ka thënë avokati mbrojtës, Julius Von Boné.

Salih Mustafa deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzat për krime lufte nga “zyra e Gestapos”

“Po, për asnjë nga pikat që mi ngarkon kjo zyre e Gestapos, nuk ndjehem fajtor”, ka deklaruar Mustafa kur është pyetur se a ndihet fajtorë për akuzat me të cilat e ngarkon Prokuroria e Specializuar.

“Gestapo” është policia sekrete e regjimit të Gjermanisë naziste, me të cilën e ka krahasuar Mustafa Zyrën e Prokurorisë Speciale.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat për krime lufte në seancën e parë gjyqësore ndaj tij në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Mustafa pafajësinë e tij e ka bërë pas leximit të aktakuzës nga prokurori i specializuar Jack Smith.

Prokurori i dhomave të specializuara, akuzon Mustafën për “përgjegjësi penale penale si epror për katër krime lufte: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme”, në prill 1999, “në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë”.

I akuzuari Sali Mustafa ka deklaruar se e kupton natyrën e akuzës, por nuk ka asgjë të vërtetë në të.

“I kuptoj ato por s’kanë të bëjnë asgjë me të vërtetën”.

Ai po ashtu ka thënë se ndihet i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.

Ndërsa prokurori i specializuar Jack Smith në fjalën e tij hyrëse ka thënë se është ditë e veçantë sepse ky institucion “do të vendos drejtësinë”.

Prokurori i Specializuar, Jack Smith

Prokurori i Specializuar ka thënë se “ e vërteta nuk e dëmton kurrë kauzën e drejtë”.

‘Që ky institucion ta përmbush detyrën e ngarkuar, secili prej të akuzuarve të gjykuar nga kjo gjykatë duke filluar me z.Mustafa, duhet të gjykohen në mënyrë të drejtë në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare”.

Prokurori: Viktimat e Mustafës ishin shqiptarë

Sipas prokurorit Smith viktimat e të akuzuarit ishin shqiptarë dhe të njëjtit nuk ishin spiunë.

“Viktimat e Mustafës janë shqiptarë të Kosovës. Nuk ishin armiq të Kosovës, nuk ishin spiunë”, ka deklaruar Jack Smith.

Sipas aktakuzës të gjithë viktimat e Mustafës ishin pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

“Viktimat do të tregojnë vet lidhur me torturën dhe me akuzat të cilat akuzoheshin si dhe për dëmtimet e rënda fizike dhe psikologjike që iu kanë shkaktuar”, në Zllashë.

Njësiti BIA ishte i organizuar në nën njësi dhe Mustafa ishte komandat i saj.

Një prej detyrave kryesore të BIA-s ishte mbledhja e informatave dhe sipas provave të pretenduara të Prokurorisë, Mustafa ishte përgjegjës për kompleksin në Zllash.

Ndryshe, më 12 qershor 2020 është konfirmuar aktakuza ndaj tij, kurse arrestimi i tij u bë me 24 shtator, ku po të njëjtën ditë, ai është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë.

Më 24 shtator ishin bërë publike edhe aktakuza ndaj Mustafës.I njëjti ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë nga ZPS-ja.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore